Kanë mbërritur sot në Atdhe eshtrat e Mid’hat Frashërit. Ai la gjurmë në historinë e Shqipërisë si diplomat politikan dhe shkrimtar. Arkëmorti mbërriti në aeroportin e Rinasit rreth orës 09:00 të kësaj të mërkure nga SHBA. Sot nga ora 09.00 – 11.00 zhvillohen homazhe pranë Akademisë së Shkencave për nder të tij. Mid’hat Frashëri do të rivarroset sot, në kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë, aty ku prehet i ati, Abdyl Frashëri dhe xhaxhallarët Sami dhe Naim, që të tre rilindës të shquar.

Dy ditë më parë në Hartsdale të Nju Jorkut u zhvillua ceremonia për riatdhesimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit. Në këtë ceremoni, përpara arkivolit të mbështjellë me flamur të qëndisur me dorë, qëndronin pjesëtarë të familjes, përfaqësues nga Shqipëria, pjesëtarë të katër komuniteteve fetare dhe njerëz që dëshironin të shprehnin respektin e tyre për Mid’hat Frashërin.

Eshtrat e tij u riatdhesuan me vendim të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, të marrë në korrik të këtij viti, pas një propozimi të bërë nga studiuesi i Mid’hat Frashërit Uran Butka dhe Instituti Lumo Skëndo, që ai drejton. Mid’hat Frashëri është një figurë shumë dimensionale, i cili ka qenë pjesëmarrës aktiv në disa periudha me rëndësi kritike të kombit shqiptar. Mid’hat Frashëri i biri i rilindësit të shquar Abdyl Frashëri, lindi më 25 mars 1880 në Janinë.

Mid’hat Frashëri, i njohur me emrin e penës Lumo Skëndo, u nda nga jeta papritur më 3 tetor 1949 në Nju Jork, ku kishte ardhur nga Evropa për të organizuar Komitetin Shqipëria e Lirë në Amerikë dhe trupi i tij deri tani prehej në varrezën Ferncliff të qarkut Weschester. Mid’hat Frashërit ishte kyetar i Komisionit të Alfabetit në vitin 1908, ku ai mbështeti ABC-në shqipe me germa latine, si dhe themeluesi i revistës mjaft të njohur “Diturija”.

Ai është edhe njëri prej firmëtarëve të Pavarësisë në vitin 1912. Mid’hat Frashëri ishte themelues dhe kryetar i organizatës Balli Kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai ka qenë cilësuar si kolaboracionist nga regjimi komunist dhe kjo vazhdon të jetë ende një pikë ndarjeje mes mbështetësve të tij antikomunistë dhe një pjese të historianëve. Mid’hat Frashëri njihet si një figurë të madhe bashkuese për shqiptarët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA