Duart e mafias italiane në tregun e basteve “online” janë shtrirë edhe në Shqipëri.
Kjo është ajo që doli në fund të tre hetimeve të ndryshme nga prokurorët e Barit, Rexho Kalabrias dhe Katanias, të koordinuara nga Drejtoria Kombëtare Anti-Mafia dhe kundër Terrorizmit që çuan në arrestimin e 68 personave dhe sekuestrimin e pasurive në Itali dhe jashtë vendit.
Vlera e basteve kapërcente 4,5 miliardë euro të luajtura në disa platforma “online” të menaxhuara nga kjo organizatë mafioze.
Mediat fqinje raportojnë se antimafia italiane ka ekzekutuar 68 urdhër arrestime, mbi 80 kontrolle e ka sekuestruar të mira materiale në vlerë 1 miliardë euro në 11 shtete; Shqipëria, Itali, Serbi, Austri, Spanjë, Maltë, Zvicër, Britani e Madhe, Vende të Ulëta dhe Kurakao. Të ndaluarit janë të gjithë eksponentë të rëndësishëm të krimit të organizuar në Pulia, Rexho Kalabria dhe Katania, si dhe disa sipërmarrës.
Hetimet treguan se grupet kriminale kishin ndarë dhe kontrolluar, në mënyrë mafioze, tregun e basteve “online” përmes platformave të ndryshme të menaxhuara nga të njëjtat organizata.
Top Channel