Në përgjithësi paraditja i gjen bosh bibliotekat. Pavarësisht se në Bibliotekën e njësisë bashkiake nr.8 “Hamit Beqaj”, rezultojnë 437 kartela lexuesish, vetëm rreth 15 prej tyre janë lexues të rregullt.
Të dhënat tregojnë që vajzat janë më të afruara me librin, pasi vetëm 40% e të regjistruarve janë meshkuj. Ndërkohë që, ajo çka bie në sy është grupmosha nga 4-18 vjeç që i janë drejtuar më tepër deri më tani bibliotekës.
“Leximi nuk duhet të jetë diçka e izoluar, kështu që çfarë kemi bërë ne për të thithur fëmijët dhe të rinjtë? Kemi filluar me lexime për fëmijë dhe kontakte me të rinj dhe shohim që interesi i tyre nuk mungon nëse kanë një derë të hapur”, shprehet Anisa Ymeri, punonjëse e bibliotekës.
Dejvis është një nga dashamirësit e vegjël të librit. I shoqëruar nga e ëma, 10-vjeçari preferon të lexojë në bibliotekë.
“Në bibliotekë jam më i përqendruar se në shtëpi. Pasi mbarova Aventurat e Çapaçulit, kam nisur Udhëtimin e anijes me vela”, shprehet Dejvis Tema, lexues.
Deri më tani, biblioteka shtetërore nr.8 ka rreth 16 mijë libra, nga të cilët 1836 janë autorë shqiptarë, por kërkesat për furnizim me libra nuk mungojnë.
“Titujt e mirë, autorët e mirë, përkthimet e mira nuk mungojnë, madje as ekzemplarët e rrallë nuk mungojnë. Furnizimi me librin e ri, patjetër që është një problem. Ndërkohë më herët ka pasur furnizime të herëpashershme me literaturën e fundit, qoftë shkencore apo historike, qoftë historike dhe sigurisht tani ne kemi një thirrje nga Bashkia Tiranë që të çojmë librat që kërkojnë lexuesit, në mënyrë që biblioteka të pasurohet”, thotë Anisa Ymeri.
Top Channel