Christian Panucci nuk është aspak i kënaqur me përfaqësuesen shqiptare në ndeshjet e zhvilluara deri më tani për Ligën e Kombeve, turne në të cilin kuqezinjtë renditen në vendin e fundit në grup, me 3 pikë, po aq sa Skocia, e cila vjen këtë fundjavë për të zhvilluar ndeshjen e parafundit në këtë fazë grupesh në “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Mundësitë e kombëtares sonë për kualifikim më tej janë thuajse zero, pasi na duhet të mundim me 4 gola diferencë Skocinë dhe të presim se çfarë do të ndodhë në ndeshjen tjetër, që Skocia do të luajë me Izraelin.

“Ne e kemi dhuruar vet kualifikimin në Ligën e Kombeve, nuk është se na kanë mundur kundërshtarët, përjashto ndeshjen që luajtëm në Glasgoë. Atë ndeshje merituam ta humbisnim, sepse nuk luajtëm mirë, vuajtëm agresivitetin dhe pësuam 4 gola nga goditjet standarde. Kanë qenë gabime fëmijërore dhe për këtë sigurisht nuk mund të përgjigjem unë, apo jo? Megjithatë, unë i marrë përsipër përgjegjësitë e mia, por dua t’iu them edhe juve atë që i vë në dukje gjithmonë ekipit. Këta lojtarë nuk dinë të komunikojnë me njëri-tjetrin, më duken si skuadër memece kur janë në ndeshje. Nuk mund të jem gjithmonë unë që t’iu them kujdes këtu e kujdes atje. Këtë javë të qeshin më pak e të flasin më shumë”, tha Panucci.

Megjithatë për trajnerin Panucci ka vetëm një synim për ndeshjen e radhës me Skocinë: ta fitojë për të përmirësuar të statistikat në Ligën e Kombeve, e më pas të shohë nëse kjo fitore do të vlejë për kualifikim.

“Është shumë e rëndësishme që të shënojmë gol. Të vazhdojmë nivelin e lojës që bëmë me Izraelin. Kemi luajtur më mirë edhe sesa në fitoren ndaj Turqisë. Duhet të jemi më të egër dhe oportunistë në fushë. Nuk duhet t’i shpërdorojmë rastet që na krijohen. Mungesa e Hysajt na penalizon, por nuk do të luaj me 3 mbrojtës. Nuk kam ndërmend të sakrifikoj asgjë prapa. Në këtë ndeshje na duhet të mendojmë shumë përpara, e do të rrezikoj gjithçka për ta fituar”, tha Panucci.

  Zbulohet arsyeja e “refuzimit”. Panucci: Loret Sadiku, në planet tona

Në fund, Panucci sqaroi çështjen e Loret Sadikut.

“Unë e kisha thirrur si pjesë e ekipit kombëtar. Më ka dërguar mesazh dhe më ka shpjeguar se nuk ndihej në 100% të formës së tij. I kam thënë se, nëse nuk ndihej në formë, më mirë të mos vinte. Por nuk ka qenë një refuzim, të paktën kështu më tha”, deklaroi Panucci.

Fiorin Dyrmishaj do të jetë ndërkohë sulmuesi më i ri i kuqezinjve, i cili me sa duket është një zgjedhje e momentit të fundit nga Panucci. Një lojtar premtues, 21 vjeç, dhe që aktivizohet në kampionatin grek me Panionios, ku në 10 ndeshje ka shënuar 3 gola.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA