Janë gati 200 venddepozitime plehrash ilegale që janë zbuluar në Shqipëri.

Bëhet fjalë kryesisht për vende që përdoren rëndom nga fshatrat apo ish-komunat, që në pamundësi të trajtimit të mbetjeve, si zgjidhje kanë gjetur rrugën më të shkurtër, hedhjen e plehrave në lumenj.

“Shqipëria do të vazhdojë të jetë e papastër nëqoftëse nuk arrijmë që të mbyllim 198 pika që ne i kemi evidentuar së bashku me prefektët dhe projektin e qeverisë zvicerane, ku ka venddepozitime ilegale të cilat janë në përgjithësi në shtratin e lumenjve dhe zona afër bregdetit. Pra, nëqoftëse nuk do të kemi eliminimin e tyre sa herë që bie shi, mbetjet urbane do të dalin në det”, deklaroi ministri Blendi Klosi, ministër i Turizmit dhe Mjedisit.

Me reformën administrative, trajtimi i mbetjeve i ka kaluar bashkive për të gjithë territorin, si për pjesën urbane, ashtu dhe për atë rurale. Por, edhe pse po mbyllet mandati i parë, me ndarjen e re territoriale shumica e bashkive kanë dështuar në trajtimin e mbetjeve, ndërkohë që situata e plehrave është alarmante nga veriu në jug.

Sipas qeverisë, deri në vitin 2020 mund të eliminohen këto venddepozitime ilegale, ndërkohë që më pas të ndërhyhet me zgjidhjet e mëdha, siç mund të jenë landfillet apo inceneratorët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA