Presidenti Ilir Meta përzgjodhi Vitore Tushën si kandidate për Kryetare e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Një ditë pas takimit me kryeministrin Rama dhe pak orë pas takimit me Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, kreu i shtetit i propozon Parlamentit anëtaren e Gjykatës Kushtetuese si pasuese e Bujar Leskajt.
Bashkangjitur me CV e saj, Ilir Meta i vuri në dispozicion opinionit publik dhe medias edhe arsyet të cilat e bindën që mes 34 aplikantëve, të propozojë Vitore Tushën në krye të KLSH-së.
“Presidenti i Republikës, vlerëson se znj. Vitore Tusha, aktualisht anëtare në detyrë e Gjykatës Kushtetuese, të cilës i ka mbaruar mandati në këtë funksion që prej datës 10 mars 2017, gëzon një integritet të lartë moral dhe profesional, e konfirmuar edhe në rrugë institucionale, pasi si subjekt i ligjit nr.84/2016, ajo është konfirmuar në detyrë dhe ka kaluar me sukses dhe me vendim të formës së prerë, procesin e rivlerësimit kalimtar (Vettingun), për të gjithë komponentët e këtij procesi, duke krijuar bindjen se kandidatura e saj është e denjë për t’u zgjedhur si Kryetar i Kontrollit ë Lartë të Shtetit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Por posti aktual i Vitore Tushës, ia bën më të vështirë vendimin mazhorancës. Sipas ligjit per funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, pavarësisht se i ka përfunduar mandati, vijon të qëndrojë në detyrë deri në zëvendësimin e saj.
Në kushtet aktuale kur Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është jashtë loje, zonja Tusha gëzon mandatin e anëtares së gjykatës dhe gjithashtu anëtare në KED. Por, kalimi i saj në KLSH e lë Gjykatën kushtetuese me vetëm një anëtar. Ai është Bashkim Dedja njëkohesisht kryetar dhe që megjithëse është konfirmuar nga shkalla e pare e vettingut, edhe per të është kërkuar shkarkimi nga ONM.
Propozimi i Vitore Tushes duket si vijim i lojës së shahut politik. Mbase për të treguar se nuk po bën “Pazar”, presidenti Meta la mënjanë emra si Bahri Shaqiri dhe Anastas Angjeli dhe dërgoi për votim nga mazhoranca një nga të paktët gjyqtarë të nivelit të lartë që doli e pastër nga Vettingu.
Gjyqtarja e Kushtetueses Vitore Tusha e kalon vettingun, figurë e pastër
Më 5 Prill Vitore Tusha kaloi me sukses sprovën e Vetting-ut, teksa mbante postin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese.
Raporti përshkruan se gjyqtarja kushtetuese i ka deklaruar pasuritë e saj, të tilla si banesë në Tiranë, 500 metra toke në Farkë dhe shtëpi në Gjirin e Lalëzit, për të cilën ka ende pa shlyer një këst. Edhe për komponentin e dytë të Vettingut, DSIK ka referuar se gjyqtarja Vitore Tusha ka figure të pastër dhe pa lidhje të dyshimta. E njëjta gjë konkludohet edhe për aftësitë profesionale të gjyqtares Tusha pas kontrollit të pesë dosjeve gjyqësore.
Kush është Vitore Tusha? Gjyqtarja që la në burg Fatos Nanon
Top Channel