Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha se do të duhen disa javë, derisa Shtetet e Bashkuara të dalin me një qëndrim përfundimtar në lidhje me vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, në konsullatën saudite në Stamboll, më 2 tetor të këtij viti.
Në një intervistë të dhënë për mediat amerikane, Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po grumbullojnë prova, për të pasur një pasqyrë të qartë të ngjarjes dhe për të hartuar një plan masash ndëshkuese.
“Do të duhen disa javë derisa të shohim qëndrimin final të Shteteve të Bashkuara, për vrasjen e gazetarit Khashoggi. Ne po grumbullojmë prova dhe fakte, për të përgatitur më pas reagimin tonë”, deklaroi Pompeo.
Vetë presidenti amerikan, Donald Trump pati premtuar më herët se Uashingtoni do të kundërpërgjigjet ndaj vrasjes, ndërsa tha se administrata “po shqyrton vendosjen e sanksioneve ndaj individëve që janë identifikuar deri më tani si të përfshirë në atë vrasje”.
Top Channel