Trupi i gazetarit të vrarë saudit, Jamal Khashoggi, mund të jetë tretur në acid pas gjymtimit.
Sipas këshilltarit të presidentit Recep Tayyip Erdogan, Yasin Aktay, ky është i vetmi përfundim logjik dhe se ata që e vranë gazetarin saudit në Stamboll kanë asgjësuar trupin e tij “për të mos lënë gjurmë”.
Khashoggi, kritik i qeverisë saudite është vrarë brenda Konsullatës saudite në Stamboll më 2 tetor. Megjithatë, ende nuk dihet se ku është trupi i tij.
“Arsyeja përse e kanë tretur në acid trupin e Khashoggit është zhdukja e gjurmëve”, ka thënë Aktay për të përditshmen turke “Hurriyet”.
Këto deklarata vijnë pasi e fejuara e Khashoggit, me të cilën ai duhej të martohej pas marrjes në konsullatë të disa dokumenteve, u bëri thirrje udhëheqësve botërorë “që të ndërhyjnë për nxjerrjen para drejtësisë së autorëve të këtij krimi” dhe e bëri këtë në një editorial të publikuar në 5 gazeta të njohura, përfshirë “The Guardian” dhe “Washington Post”.
Në disa raportime të ditës së sotme u tha ndërkohë se, Princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman u ka thënë Shteteve të Bashkuara se Khashoggin e konsideronte islamiktë rrezikshëm. Khashoggi, i cili ka jetuar në Shtetet e Bashkuara dhe ka shkruar editoriale për “Washington Post”, hyri në Konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor, por nuk doli më prej andej.
Rijadi kundërshtoi fillimisht çdo rol në zhdukjen e tij, mirëpo nën presionin e autoriteteve turke ka identifikuar 18 të dyshuar në këtë rast.
Top Channel