Daljen para mediave për atë që ai e cilëson të vërtetën, Saimir Tahiri e lajmëroi herët në mëngjes, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Me vendimin e prokurorisë dhe gjykatës italiane në duar, që vendosi pushimin e hetimit për të, ish-ministri i Brendshëm, për rreth 20 minuta, shpjegoi para kamerave përse për më shumë se një vit zgjodhi që të heshtë mbi akuzat për trafik droge në bashkëpunim me grupin Habilaj.
Tahiri akuzoi për baltosje, gënjeshtra dhe gjyq publik, gazetarë, analistë, prokurorë, politikanë madje edhe ambasadorë: “Një orkestër e tërë që ndanin interesa politike e jo vetëm, u bënë bashkë ca të nënës e ca të njerkës, bilbila e kopila, se Saimir Tahiri duhej në burg, se nuk e thonin këta, por Antimafia italiane”.
Tahiri tha se është i vetmi politikan shqiptar që është hetuar vetëm sepse është përmendur nga 2 trafikantë që u gjetën kushërinjtë e tij të 8, ndërsa politikanë të tjerë si Lulzim Basha, Sali Berisha apo Ilir Meta i kanë shpëtuar drejtësisë për vjedhjen e miliona eurove dhe vrasjeve.
“E sigurisht më vlen më shumë e vërteta ime, këtu në këtë vendin tonë ku, kur ua do interesi, politikanë e gazetarë e dënglamedhenjtë analistë, çirren studiove se nuk mund të mbahet përgjegjësi për vëllanë, për motrën, për burrin, gruan, për djalin e vajzën, kunatin e baxhanakun ”, shtoi Tahiri.
Sipas Tahirit, Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila ka zgjatur afatin e hetimeve për të deri në fund të janarit, ka patur në dispozicion të gjithë kohën për të vërtetuar akuzat: “Unë them boll! 1 vit ishte mjaftueshëm. Tani nuk do hesht. E në qoftëse nuk mjaftojnë 7 prokurorë, bëjini 70, vetëm mbaroni hetimet dhe tregoni të vërtetën. Siç bëri Prokuroria Antimafia e Italisë dhe gjykata atje. Deri tani është hetuar e gjithë jeta ime, familja ime, miq e të afërm, me kë jam takuar e me kë kam bërë pushime. Kush e si kam paguar dreka, darka, e pushime, madje edhe nëse kam paguar pushimet në Kavalishencën e Durrësit kanë hetuar”.
Tahiri gjithahshtu la të kuptohej se nuk pret që opozita të lexojë drejt vendimin për të.
“Dalin edhe thonë se Edi Rama po mbyll hetimin a gjykimin për mua. Pika që nuk u bie. Nuk e dinë që drejtësia e blerë, nga kushdo, madje Edi Rama i pari, për mua është me keq se çdo dënim”, tha ai.
Sipas Tahirit hetuesit italiane kanë verifikuar pretendimet për blerje byzylyqesh e kostumesh si dhe hyrje daljet e tij jashtë Shqipërisë me personat e përfshirë në hetim dhe kanë dalë me përfundimin se janë të gjitha gënjeshtra.
Ish ministri i Brendshëm dha dorëheqjen një vit më parë pasi u publikua dosja hetimore për bandën e Habilajve të arrestuar në Katania për trafik ndërkombëtar droge. Habilajt, kushërinj të largët të Tahirit rezultonin se i kishin blerë nga ish ministri një automjet personal të cilin nuk ia ndryshuan pronësinë.
Në dosjen e përgjimeve të Prokurorisë së Katanias, emri i Tahirit përmendej si pjesë e bisedave mes trafikanteve. Habilajt dhe njerëzit e tyre bisedonin duke thënë se atij, Tahirit nuk i mjaftonin as 20 milionë euro për zgjedhjet. Apo në disa raste bisedat për dhurata, një varëse, u komentuan se bëheshin si dhurata ndaj Tahirit. Dosja Habilaj ka edhe detaje të tjera ndërkohe që emri i Tahirit u përmend edhe në një tjetër ngjarje, kur ai u kap në makinë me një shumë të madhe parash dhe patenta skafi që ishin në emër të Tahirit.
Top Channel