Partia Demokratike, me anë të Gazment Bardhit, reagoi pas konferencës për shtyp të Saimir Tahirit.
Dokumenti i pafajësisë nga drejtësia italiane që Saimir Tahiri publikoi për mediat, për demokratët nuk ka vlerë. Juristi i Partisë Demokratike Gazment Bardhi e konsideroi të parëndësishëm hetimin e shtetit fqinj për sa kohë Saimir Tahiri akuzohet për vepra penale në Shqipëri dhe jo Itali.
“Si Ministër i Brendshëm, akuzohet për lehtësimin dhe mbështetjen shtetërore për trafikun e drogës nga organizata kriminale e Habilajve në Shqipëri. Kjo veprimtari kriminale është zhvilluar në territorin shqiptar dhe si e tillë nuk mund të hetohet dhe as procedohet nga drejtësia italiane. Italia nuk ka juridiksion për vepra penale të ndodhura në territorin e një vendi të huaj nga një shtetas i huaj”, u shpreh Bardhi.
Demokratet akuzuan Edi Ramen se i ka ofruar mbrojtje politike ish ministrit te tij përmes Arta Markut dhe Donika Preles. Por, krahas rezervave për organin e akuzës, juristi Bardhi kërkoi ndryshimin e masës së sigurisë për Saimir Tahirin.
“I trimëruar Saimir Tahiri kërcënoi sot çdo polic, prokuror dhe gjyqtar që mund të guxojë të mos u bindet urdhrave dhe të vazhdojnë hetimin ndaj tij. Pas këtyre kërcënimeve, prokuroria duhet të kërkojë ndryshimin e masës së sigurisë nga detyrim paraqitje në arrest me burg për Saimir Tahirin”, u shpreh Bardhi.
Shfaqjen para mediave te Tahirit, demokratët e cilësuan si goditje të rëndë ndaj reformës në drejtësi duke i kërkuar ndërkombëtarëve të mbajnë premtimin që kanë bërë për kapjen e peshqve të mëdhenj.
Top Channel