35 fëmijë bënë betimin si qytetarë amerikanë, disa me kostumet e Hallouinit veshur gjatë një ceremonie në Fairfaks të Virxhinias.
Të miturit vinin nga 22 shtete të ndryshme të botës, përfshirë Afganistanin, Kinën, Egjiptin, Iranin dhe Irlandën. Ata vetë nuk e kuptonin shumë ndoshta atë që po ndodhte, por prindërit e tyre ishin në qiellin e shtatë.
Amtul Malik, nëna e Adamit nga Maroku, u shpreh: “E dini, që ta them me sinqeritet, ne kemi pasur karriera shumë të mira në këtë vend dhe shpresoj shumë që edhe Adami të ketë një jetë të shkëlqyer këtu”.
Kjo ceremoni ndodhi vetëm një ditë pasi Donald Trump deklaroi se e ashtëquajtura shtetësi në lindje, e cila i kushton sipas tij Amerikës miliarda dollarë, do të marrë fund në një mënyrë ose në një tjetër.
“Është një proces, do të ndodhë”, u shpreh shefi i Shtëpisë së Bardhë, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara janë vendi i vetëm që i jep foshnjave shtetësinë në lindje, edhe pse në fakt nuk është ashtu sepse të njëjtën gjë bëjnë dhe rreth 30 shtete të tjera, përfshirë fqinjët e SHBA-së, Kanadanë dhe Meksikën.
Ndërkohë, kjo nuk pritet të prekë fëmijët që kanë kaluar deri tani nëpër procedurën e shënjestruar së fundi nga Presidenti amerikan.
Top Channel