Veliaj: Të ulim përdorimin e makinave, gazrat sëmurin fëmijët

31/10/2018 12:10

Nga shkolla “Aleks Buda”, ku prezantoi buxhetin e vitit 2019 për Njësinë 11, kryebashkiaku Erion Veliaj u bëri thirrje të gjithë prindërve dhe çifteve që të mbjellin një pemë në kryeqytet, si pajë për gjeneratën e ardhshme.

Duke cituar raportin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Veliaj nënvizoi faktin se fëmijët janë më të predispozuar nga sëmundjet që vijnë nga ndotja prej makinave.

“OBSH sapo ka botuar një raport të frikshëm për fëmijët, jo vetëm në Shqipëri, por kudo në Europë dhe në botë. Fëmijët janë ata që janë më të predispozuar nga sëmundjet që vijnë nga ndotja prej makinave. Nëse një i rritur merr frymë 20 herë në minutë, një fëmijë merr 50-60 herë në minutë. Do të thotë se ata e thithin më shumë ajrin e ndotur të qyteteve tona nga mbipërdorimi i makinave. Në Tiranë nuk digjet gëlqere, nuk kemi as fabrikë çeliku, por ndotja na vjen kryesisht nga mbipërdorimi i makinave”, deklaroi Veliaj.

“Pemët janë oksigjen, gjelbërim, freski, bukuri, janë stoli që ne ia lëmë brezit të ri të djemve dhe të vajzave në këtë qytet. Ndaj, dua t’i ftoj të gjithë banorët që për distanca të vogla ta lënë makinën në shtëpi dhe të sigurohemi që të nxjerrim mësime nga raporti i OBSH, ta ulim përdorimin e makinës sepse është helmi numër një për fëmijët. Sot fëmijët duke qenë se janë edhe më afër tokës, aty ku lëshohen gazrat nga marmita, janë 10-12 herë më të predispozuar të sëmuren sesa një i rritur që merr ajër në lartësinë ku shpërndahen gazrat. Për këto arsye dua t’i ftoj çiftet e reja të mbjellin një pemë për celebrimin e tyre, familjet e reja të mbjellin një pemë për fëmijën, për vajzën ose djalin, nipat dhe mbesat për gjyshin, ose gjyshen”, deklaroi kreu i bashkisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA