Zëvendëskryeministri italian, Luigi Di Maio bëri thirrje të hënën për unitet brenda Lëvizjes “5 yjet” pasi partia anti-establishment u detyrua të heqë dorë nga një premtim elektoral për të ndaluar një projekt të madh transporti ndërkombëtar të gazit.

Ish-simpatizantët e partisë i vunë zjarrin flamurit të “5-yjeve” në qytetin jugor italian Melendugno, të dielën, për të protestuar kundër vendimit të qeverisë për të miratuar tubacionin Trans Adriatik (TAP) që do të sjellë gazin e Azerbajxhanit në Itali, nëpërmjet bregdetit të tyre.

Përpara zgjedhjeve në mars, “5-Yjet” premtuan të heqin dorë nga projekti në qoftë se marrin pushtetin, por pas disa muajsh diskutime, Di Maio pranoi në fundjavë se tubacioni do të duhej të shkonte përpara. Ai tha se Italia do të përballet me gjoba prej 20 miliardë eurosh (23 miliardë dollarë) nëse ai do të tërhiqet në këtë fazë të vonë.

Duke u përballur me tallje dhe kritika në mediat sociale, Di Maio tha se partia ishte nën sulm, si nga brenda ashtu dhe nga jashtë, dhe u kërkoi mbështetësve të “5 yjeve” të mbyllnin radhët në të njëjtën mënyrë që ushtarët e lashtë romakë, mbyllën mburojat e tyre për të pritur shigjetat e armikut.

“Sot, në ushtrinë tonë, disa njerëz po tregojnë shenja të dobësisë … Ne nuk mund t’i lejojmë vetes një dobësi të tillë,” shkruante Di Maio në faqen e internetit të partisë. “Dështimi më i vogël në çdo front, do të thotë që i gjithë vendi që kemi pushtuar, do të kthehet në tokën e askujt”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA