Autoritetet bullgare kanë vënë në pranga të paktën 20 persona, përfshirë edhe kreun e agjencisë shtetërore për bullgarë jashtë kufijve, SABA, nën dyshimin e pjesëmarrjes në një skemë korruptive sigurimi dokumentash të rreme që lejonin marrjen e nënshtetësisë bullgare.
Shumica e aplikimeve false vinin nga vende jo anëtarë të BE-së, me minoritete të mëdha etnike bullgare, përfshirë Maqedoninë, Moldavinë dhe Ukrainën. Ka raporte që tregojnë se agjensia e shënjestruar lëshonte deri në 30 certifikata të dyshimta në javë. Prej kësaj skeme përfitonin persona që nuk kishin origjinë bullgare, por paguanin për një certifikatë të rreme, e cila dëshmonte të kundërtën.
Kjo lloj certifikate përbën dokumentin e parë kryesor të nevojshëm për marrjen e nënshtetësisë bullgare. Aplikantët thuhet të kenë dhënë deri në 6 000 euro për një të tillë.
Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë 15 viteve të fundit, 116 000 vetë kanë marrë nënshtetësinë bullgare, pjesa dërrmuese me certifikata të lëshuara nga SABA. Numri total i aplikantëve ka qenë 185 000.
Raporte e investigime mediatike mbi skemat e korrupsionit për shitjen e dokumenteve bullgare të origjinës ka pasur prej vitesh, por gjërat nisën të ndryshonin disi pas apeleve të Partisë Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë Politike, e cila kërkoi në muajin qershor krijimin e një komisioni parlamentar që të hetonte dhënien e pasaportave bullgare 114 kriminelëve të kërkuar nga Interpoli. Komisioni nuk u krijua kurrë, ama zemërata që shkaktoi dhënia e pasaportave personave të tillë, i vuri në lëvizje autoritetet.
Top Channel