Basha: Xhafaj, frikë nga hetimi. Prej ditës së parë, merak “të shpëtonte vëllain e dënuar”

28/10/2018 13:52

Partia Demokratike e cilësoi largimin e Fatmir Xhafajt nga posti i ministrit të Brendshëm si rezultat i luftës që ajo dhe krejt opozita i ka bërë që nga dita emërimit, për dosjen penale të vëllait të tij. Kryetari Lulzim Basha ishte në një takim partiak në Manëz të Durrësit, ku zbuloi faktorët që sipas tij çuan në largimin e Fatmir Xhafajt.

“Fatmir Xhafaj është larguar pikërisht për t’i bërë bisht përgjegjësisë së tij ligjore dhe politike për manipulimin e dosjes së vëllait të tij, Agron Xhafaj, dosje e cila u bë e ditur vetëm falë qëndresës, guximit, vendosmërisë dhe këmbënguljes së opozitës. Kjo është e vërteta e vetme. Nuk ka meritë as ministri tjetër i Habilajve dhe askush tjetër për largimin e Fatmir Xhafajt. Largimi i Fatmir Xhafajt është dëshmi e forcës së pathyeshme të opozitës dhe Partisë Demokratike, bashkë me qytetarët shqiptarë në luftën kundër krimit”, deklaroi Basha.

Largimin e Fatmir Xhafajt, zoti Basha e lidh edhe me zhvillimet e fundit, ku u arrestuan disa banda. Sipas tij ishte faktori ndërkombëtar që ushtroi presion për heqjen e ministrit të Brendshëm, për shkak se nuk arrestoi kryebashkiakun e Durrësit, si person të lidhur me krimin.

“Dosja hetimore 339 vuri në lëvizje faktorin ndërkombëtar dhe e vuri me shpatulla pas muri Fatmir Xhafajn. Faktori ndërkombëtar e detyroi atë të fillonte arrestimin e disa prej bandave kryesore të krimit, me të cilat Edi Rama mori votat qershorin e vitit të kaluar. U arrestuan Bajrat në Shkodër. U arrestuan Ndokët në Lezhë. U arrestuan Avdylët në Shijak. Por Fatmir Xhafaj, si një vasal i vërtetë i Edi Ramës nuk pati guximin të arestonte Vangjush Dakon, personazhin kryesor dhe kokën e shtabit të shitblerjes së votave, siç e dini fare mirë këtu në Manzë, në Sukth dhe në të gjithë zonën e Durrësit”, tha më tej Basha.

Basha pati edhe një mesazh të fortë për Vangjush Dakon, që sipas tij nuk do t’i shpëtojë burgut.

“Dhe nuk ka gjeneral, me apo pa spaleta, ta shpëtojë. Vangjush Dako e ka vendin në burg dhe në burg do të shkojë një orë e më parë, për korrupsionin, për vjedhjen, për bashkëpunimin me kriminelët, për shndërrimin e Durrësit, të kësaj treve fisnike, në një çiflig të krimit, aty e ka vendin bashkë me kriminelët e tjerë, ata që janë prapa hekurave dhe shumë të tjerë që do të rikthehen e do të përfundojnë aty”, u shpreh më tej Basha.

Por beteja – përfundoi Basha, – do të quhet e fituar kur të largohet arkitekti i bashkëqeverisjes me krimin, që sipas tij është kryemnistri Edi Rama, e për këtë ai kërkoi mbështetjen e qytetarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA