Partia Demokratike përmes këshilltarit ligjor, Gazmend Bardhi, ka reaguar pas vendimit të marrë në Këshillin e Ministrave për kufizimin e personave të dënuar në vepra penale që lidhen me krimin e organizuar, trafikimin, terrorizmin apo korrupsionin, nuk do të kenë më mundësi të përfitojnë tendera publikë apo koncesione.
Ligji aktual perjashtonte nga përfitimi i fondeve publike vetëm subjektet juridikë të dënuar më parë, por në ndryshimet që u miratuan në mbledhjen e qeverisë, parashikohet dhe përjashtimi i individëve me rol vendimmarës në këto shoqëri tregtare, të cilat janë, ose kanë qenë të dënuar.
Por sipas PD, qeveria e Edi Ramës nuk e zbatoi për 5 vjet ligjin që ndalon personat e përfshirë në krimin e organizuar të mos përfitojnë tendera dhe koncesione, e nisma e marrë sot nuk godet krimin e organizuar, por është tentativë për të marrë në mbrojtje anëtarët e krimit të organizuar që janë aktualisht nën hetim nga prokuroria për përfitime të paligjshme në tendera publikë.
“Propaganda dhe tallja me shqiptarët janë mjeti i vetëm i qeverisë së Edi Ramës për të mbuluar bashkëqeverisjen me krimin. Nuk ka asnjë iniciativë të re nga qeveria e Edi Ramës kundër krimit të organizuar. Ministrja e Drejtësisë e di se ligji që ndalon personat e përfshirë në krimin e organizuar të mos përfitojnë tendera dhe koncesione është në fuqi prej vitit 2006. Me ardhjen në pushtet të Edi Ramës ky ligj nuk u zbatua dhe tenderat, koncesionet, PPP-të ranë në duart e trafikantëve të drogës dhe personave të tjerë të përfshirë në krimin e organizuar”, u shpreh Bardhi.
Top Channel