Arabia Saudite tha se nënshkroi 56 miliardë dollarë marrëveshje në një Konferencë Investimi që u mbajt këtë javë në Rijad dhe priste që Shtetet e Bashkuara të mbeteshin një partner kryesor biznesi, përkundër një bojkoti të pjesshëm të ngjarjes, pas vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi.
Rreth 100 zyrtarë të lartë dhe drejtues nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, përfshirë Sekretarin e Thesarit të SHBA-ve, Steven Mnuchin dhe drejtuesit kryesorë të bankave të mëdha, anuluan pjesëmarrjen e tyre në konferencën e investimeve, në shenjë proteste mbi vrasjen e Khashoggit në konsullatën saudite në Stamboll më 2 tetor.
Ka pasur shqetësime se, përkohësisht të paktën, lidhjet tregtare me Perëndimin mund të dëmtohen, pasi goditja ndaj reputacionit të Rijadit dhe rreziku i sanksioneve ekonomike lidhur me çështjen Khashoggi, e bënë më të vështirë hyrjen në marrëveshje të reja.
Megjithatë, konferenca tre-ditore e Iniciativës për Investime të Ardhshme, tërhoqi qindra biznesmenë dhe zyrtarë qeveritarë nga e gjithë bota, në një vend të qetë në Riad, me qëllim tërheqjen e kapitalit të huaj për të mbështetur reformat ekonomike saudite.
“Ka pasur më shumë se 25 marrëveshje të nënshkruara me vlerë 56 miliardë dollarë”, tha të enjten ministri saudit i Energjisë, Khalid Al-Falih për televizionin shtetëror, duke shtuar se kompanitë e SHBA-ve përbënin shumicën e atyre kontratave.
Ai shtoi: “Shtetet e Bashkuara do të mbeten një pjesë kyçe e ekonomisë saudite, sepse interesat që na lidhin janë më të mëdha se ato që na ndajnë nga fushata e dështuar e bojkotimit të konferencës”.
Top Channel