Bashkimi Evropian duhet të ndalojë shitjen e armëve në Arabinë Saudite pas vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi, tha ministri i jashtëm austriak Karin Kneissl për një gazete gjermane, duke shtuar se një veprim i tillë mund të ndihmonte gjithashtu në përfundimin e “luftës së tmerrshme në Jemen”.
Komentet e Austrisë, që ka presidencën aktuale të BE-së, erdhën pasi Gjermania tha se do të ndalonte miratimin e eksporteve të armëve në Arabinë Saudite deri sa vdekja e Jamal Khashoggit në konsullatën saudite në Stamboll të hetohej plotësisht. Qeveria e Kancelares Angela Merkel po diskuton gjithashtu se si të veprohet me shitjet që tashmë janë miratuar.
Duke iu referuar BE-së në tërësi, Kneissl i tha gazetës Die Welt: “Ndalimi i dërgesave të armëve, e propozuar nga kancelaria Merkel, do të ishte një sinjal i saktë”. Austria në mars 2015 kishte ndaluar dërgimin e pajisjeve ushtarake në Arabinë Saudite.
Franca dhe Britania, që do të largohet nga BE në mars, janë furnizuesit kryesorë të armëve në Riad. Presidenti Emmanuel Macron i tha mbretit Salman të mërkurën se Franca, në koordinim me partnerët, mund të merrte masa ndaj atyre që ishin përgjegjës për vrasjen.
Megjithatë, që kur erdhi në pushtet vitin e kaluar, Macron ka injoruar kryesisht protestat mbi shitjet e armëve që ai i konsideron jetësore për vendet e punës dhe marrëdhëniet strategjike të Francës në rajon. Marrëveshjet franceze të armëve me Rijad arrinin në 1.5 miliardë euro vitin e kaluar.
Parlamenti Europian miratoi një rezolutë të enjten duke u bërë thirrje vendeve anëtare të vendosin një embargo të armëve nga e gjithë BE-ja në Arabinë Saudite.
Top Channel