Humbja me Izraelin, pavarësisht lojës së mirë, për Ligën e Kombeve, ka sjellë për pasojë rënien me 3 pozicione të Shqipërisë në renditjen e përmuajshme të FIFA-s, duke u renditur tashmë në vendin e 60, me 1372 pikë. Kosova, nga ana tjetër, pas paraqitjeve pozitive në ligën e fundit të turneut të Ligës së Kombeve ngjitet me një pozicion, duke u renditur në vendin e 137.
Renditja e FIFA-s është zyrtarizuar këtë të enjte sa i përket muajit tetor, e surpriza në fakt ka të bëjë me ekipin e Belgjikës, që është ngjitur në krye të saj, edhe mbi Francën kampione të botës në fuqi.
Një muaj më parë, Belgjika u bë bashkëkryesuese e kësaj renditjeje me Francën, duke shënuar edhe një rekord për FIFA-n, pasi ishte hera e parë që ndodhte. Ndërsa këtë muaj, “djajtë e kuq” belgë kalojnë me vetëm 1 pikë “Gjelat” francezë, me 1733 pikë kundrejt 1732 të “Les Bleus”.
Belgjika fitoi ndaj Zvicrës dhe barazoi me Holandën, ndërsa Franca mposhti Gjermaninë dhe barazoi me Islandën, me fitoret e arritura në Ligën e Kombeve ndërsa barazimet në miqësore.
Dhjetëshja e parë e renditjes plotësohet nga Brazili, Kroacia, Anglia, Uruguaji, Portugalia, Zvicra, Spanja dhe Danimarka. Gjermania ndërkohë vijon rënien e lirë, teksa e sheh veten në pozicionin e 14, duke humbur dy nga muaji i kaluar dhe duke parë pas vetes Holandën, me të cilën pësoi humbjen më të thellë në histori.
Top Channel