Në raportimin javor, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion ka prezantuar këtë të mërkurë rezultatet e punës të Task Forcës Antikorrupsion në identifikimin, dokumentimin dhe goditjen e akteve korruptive në të gjitha nivelet e administratës në rang vendi. Gjatë kësaj jave janë konstatuar shkelje në ZRPP e Durrësit dhe burgun e Burrelit.

“Nga shkeljet e konstatuara lidhur me procedurat administrative të ndjekura në Zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme Durrës, janë rekomanduar 18 masa disiplinore, vërejtje me paralajmërim për largim nga detyra, për Regjistruesin si dhe për 17 specialistë të këtij institucioni. Ndërkohë, pritet të dilet me konkluzione në një sërë institucionesh të tjera të inspektuara si spitale, drejtori rajonale tatimore, zyra të tjera regjistrimi pasurish të paluajtshme”, u shpreh ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Gjithashtu në vazhdën e hetimeve administrative në burgje, janë identifikuar një sërë nëpunësish të përfshirë në shkelje të ligjit apo afera korruptive. Në burgun e Burrelit janë referuar në prokurori për ndjekje penale 3 punonjës për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe janë rekomanduar masa administrative për 23 punonjës të tjerë. Gjonaj nuk ka nguruar të përgëzojë punën e Policisë së Prokurorisë në lidhe me aksionet e ditëve të fundit, ku në pranga ranë një numër i madh zyrtarësh, të akuzuar për përfshirje në afera korruptive.

“Ndërkohë që ne përgatitemi të publikojmë reformën e rëndësishme të pronës, goditjet e fundit që lidhen edhe me pronën, janë fillimi i një pastrimi të madh të titujve të pronësisë në zonën e bregdetit. Falenderojmë, mbështesim dhe nxisim prokurorinë të vijojë të godasë korrupsionin e zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme”, shtoi ajo.

Ministrja ka përmendur edhe rezultatet e javës së shkuar gjatë të cilës strukturat e Policisë së Shtetit, kanë ndaluar dhe arrestuar 23 persona në rrethet Elbasan, Korçë, Kurbin, Lezhë e Tiranë për veprat penale të shpërdorimit të detyrës, ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personit që ushtron funksione publike dhe korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore. Goditja e çdo akti korruptiv, në të gjitha nivelet e administratës, pa asnjë dallim ngjyre politike apo përkatësie, sipas Gjonajt është deviza e qeverisjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA