Dy bebeve të palindura ende u janë riparuar shtyllat kurrizore nga kirurgët, disa javë para lindjes së tyre.
Operacionet, të parat e këtij lloji në Britaninë e Madhe, u kryen nga një ekip prej 30 doktorësh në Spitalin e Kolegjit Universitar të Londrës.
Bebet kishin “spina bifida” (defekt kongjenital i shtyllës kurrizore), një gjendje në të cilën shtylla kurrizore dështon të zhvillohet siç duhet dhe ka një boshllëk.
Zakonisht, ky problem trajtohet pas lindjes, por sa më herët që të riparohet, aq më mirë është për lëvizshmërinë dhe shëndetin afatgjatë.
Gjatë operacionit 90-minutësh, mjekët bënë një prerje në bark dhe më pas ngjitën shtyllat kurrizore të bebeve, duke zhdukur boshllëkun. Procedura është e rrezikshme dhe mund të çojë në lindje të parakohshme, por kërkuesit po përdorin mënyra më pak invazive.
“Ne i japim nënës një ilaç që mund ta ndihmojë të qetësohet, por sidoqoftë ka rrezik”, thotë Anne David, që ka punuar për ta realizuar këtë operacion në Britaninë e Madhe prej 3 vitesh.
Më herët, nënat detyroheshin të shkonin në SHBA, Belgjikë apo Zvicër për kryerjen e këtij operacioni.
Sipas statistikave, më shumë se 200 fëmijë në Britaninë e Madhe lindin me këtë problem çdo vit. “Spina bifida” ndodh kur tubi neural i bebes, një formë e hershme e trurit dhe shtyllës kurrizore të bebes, nuk formohet siç duhet dhe çon në boshllëqe apo defekte në shtyllën kurrizore dhe kockat e saj.
Operacioni mund të përdoret në shumicën e rasteve, por shpesh, sistemi nervor mund të jetë i dëmtuar, gjë që çon në probleme, mes të cilëve edhe paraliza apo mungesa e ekuilibrit.
Top Channel