Gjykata e Apelit la të pandryshuara masat e sigurisë për Ervis Martinajn dhe Eljon Haton, dy të plagosurit e ngjarjes së 4 tetorit në një lokal në zonën e ish-bllokut, ku mbeti i vrarë një person i tretë.
Ndaj Martinajt vazhdon të jetë në fuqi masa e sigurisë me afat 30-ditor, ndërsa ndaj të palgosurit tjetër që vazhdon ende të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore, Eljon Hato mbetet në fuqi masa e sigurisë arrest me burg. Avokati i Ervis Martinajt u shpreh se edhe në Gjykatën e Apelit nuk u paraqit asnjë provë për akuzën e rëndë të vrasjes në rrethana cilësuese që është ngritur ndaj klientit të tij.
Marash Martini tha: “Edhe në Gjykatën e Apelit, Prokuroria nuk solli asnjë provë që të jusitifikojë masën apo akuzën e ngritur ndaj klientit tim”.
Por çfarë ndodh pas përfundimit të afatit 30-ditor të burgimit ndaj Ervis Martinajt?
“Nëse prokurori nuk sjell kërkesë tjetër, atëherë ai duhet të lirohet automatikisht”, përgjigjet avokati.
Avoakti i Martinajt komentoi edhe arrestimin e pronarit të lokalit ku ndodhi ngjarja, Redi Popesku, dhe dyshimeve si ai ka fshehur një armë që është përdorur në atë ngjarje: “Është absurditet të nxjerrësh dikë dhe ta akuzosh se ka fshehur armën e Ervis Martinajt, në një kohë kur prokuroria nuk ka asnjë fakt që Martini ka patur armë. Gjithsesi, ju garantoj se nuk mund të provohet që klienti im ka patur armë në atë lokal”.
Top Channel