Një aksident i rëndë i ndodhur në fabrikën e çimentos në Elbasan mesditën e sotme i ka marrë jetën 56-vjeçarit Musa Sula, ndërsa një tjetër punonjës ka mbetur i plagosur rëndë.
Një masiv i madh çimentoje ka zënë poshtë punëtorët duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të njërit prej tyre. Policia është duke punuar për zbardhjen e mëtejshme të shkaqeve dhe respektimin e kushteve të sigurisë në punë.
Është dashur ndërhyrja e zjarrfikëses për të bërë të mundur nxjerrjen e trupit nga poshtë masivit pas rreth 2 orësh. I plagosuri Tomos Mjekërzaku, 65 vjeç, është dërguar në Spitalin e Elbasanit, nga ku mësohet se gjendja e tij është e stabilizuar.
Në fabrikën e çimentos ka mbërritur edhe Inspektorati Shtetëror i Punës, i cili do të kryejë inspektimet rreth rregullave të sigurisë në këtë institucion, për të dalë më pas me një raport.
Top Channel