Mediet greke shkruajnë se Spitali Amerikan është shumë pranë blerjes së spitalit më të madh në Greqi, “Henri Dunant Hospital”.
Konkurrenti i vetëm i mbetur në garë për blerjen e këtij spitali është Fondacioni “Onasis”.
Spitali Amerikan dhe ky fondacion ishin të vetmit investitorë që kaluan në fazën e dytë të konkursit për blerjen e tij, duke paraqitur ofertat e detyrueshme ndaj Bankës së Pireut, që kërkon të shesë 100 për qind të aksioneve të këtij spitali.
Arsyeja që kjo bankë kërkon të shesë këtë spital është fakti se, “Henry Dunant” e mbylli vitin 2017 me humbje 13.5 milionë euro. Sipas të dhënave, kjo humbje ishte 16 për qind më e lartë sesa ajo e vitit 2016. Në këto kushte, banka është detyruar ta shesë këtë spital.
Duke qenë pronare 100 për qind e saj, Banka e Pireut e vlerëson këtë spital në shitje nga 103 deri në 105 milionë euro.
Spitali Amerikan, që është shumë afër blerjes së këtij spitali, është investim i Fondit Amerikan të Investimeve “SEAF”, me pjesëmarrjen e Agjencisë amerikane të Investimeve “OPIC”, Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe Fondit të Pensioneve të Danimarkës.
Lajmi është bërë i ditur nga një pjesë e madhe e medieve dhe portaleve greke.
Top Channel