Në Seman të Fierit nisën të premten punimet për ndërtimin e seksionit detar të Gazsjellësit Trans Adriatik, me gjatësi 105 km.

Ky seksion do të lidhë segmentin shqiptar të TAP-it me atë italian. Në ceremoninë e fillimit të punimeve ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, si edhe drejtues të TAP-it.

Kreu i qeverisë tha se TAP-i është një forcë historike shtytëse për ekonominë shqiptare: “Ekonomia, falë gazsjellësit, do të përfitojë rreth 1 miliard euro në dy dekada. Numri i anijeve që do të përdoren për këtë segment është mbresëlënës. TAP-i ka krijuar mundësi për punë në të gjitha nivelet. Shumë të rinj janë kthyer nga jashtë për të punuar në projektin e TAP-it”.

Tubat do të shtrihen në shtratin e Adriatikut, ku pika më e thellë e tubacionit do të jetë më shumë se 810 metra nën sipërfaqen e detit. Afërsisht 10 anije do të merren me ndërtimin e seksionit detar; dy anije do të përdoren për shtrimin e tubacionit dhe anije të veçanta për drenazhimin, furnizim me tuba dhe punime të tjera. Për shtrirjen e tubave në ujëra të thella do të përdoret një anije shtrimi gjysmë e zhytur në ujë.

Do të përdoren rreth 9 mijë tuba, me peshë të përafërt 100 mijë ton. Për ndërtimin dhe mbrojtjen e tubacionit, TAP-i po përdor standardet më të larta të industrisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA