Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, kërkuar nga Shqipëria në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun Ditmir Bushati që të largojë “terroristët turq”, që, sipas tij, kanë hyrë nëpër institucionet shqiptare.
Ai tha se Shqipëria duhet të mbyllë të gjithë institucionet të cilat kanë lidhje me organizatën e FETO-s.
“Ne kërkojmë eliminimin e veprimtarisë kundër shtetit turk që zhvillohet këtu. Miqve tanë shqiptarë i kemi dhënë listën me emra, kemi kërkuar esktradimin e tyre edhe në mënyrë zyrtare. Ne nuk do të mbanim kurrë terroristë shqiptarë në Turqi, kështu që të njëjtën gjë pres që të bëjë edhe Shqipëria”, tha Çavusoglu.
“Falë guximit dhe urtësisë së Presidentit të Turqisë u bllokua grushti i shtetit. Ata kanë përdorur shumë mirë sistemin arsimor dhe kanë hyrë në institucione. Sigurisht, kjo është organizatë e rrezikshme, e dimë se këtu kemi anëtarë të FETO-s. Në dëshirojmë dhe presim të mbyllen institucionet antiturke në Shqipëri. Kjo organizatë është një kërcënim tepër serioz edhe për Shqipërinë dhe ata mund të bëjnë çdo gjë”, shtoi ministri i Jashtëm i Turqisë.
Top Channel