Tiroli jugor është kthyer në arsyen e një përplasjeje diplomatike mes Italisë dhe Austrisë: qeveria austriake e koalicionit, që përfshin dhe partitë e lirisë së ekstremit të djathtë e pati zemëruar kohë më parë Romën zyrtare me planet e saj për t’i ofruar nënshtetësi austriake banorëve të provincës më të pasur në Itali.

Tani që Tiroli jugor mban zgjedhjet për parlamentin e ri rajonal, tema e nënshtetësisë rikthehet në vëmendje, madje propozimi është zgjeruar duke prekur edhe gjermanofolësit. Çështja e pasaportës nuk është theksuar në fletën e votimit, megjithatë mbetet e pranishme.

Kritikët druhen se oferta e shtetësisë austriake mund të krijojë përçarje në një territor të konsideruar model të bashkëjetesës paqësore mes grupeve që flasin gjuhë të ndryshme. Po çfarë mendojnë banorët vetë? Për ish-punonjësin e bankës tashmë të dalë në pension, Rene, nënshtetësia austriake do të ishte një ëndërr e bërë realitet.

“Ne nuk kemi asnjë lidhje me Italinë. Kjo do të na kthente në vendin të cilit i përkasim, në tokën tonë austriake”, shprehet ai.

Kandidati i partisë së popullit në Tirolin Jugor, Arno Kompatscher, mendon se shumica e njerëzve janë të kënaqur me “status quo-ne”, ndërsa Sven Knoll, i partisë lirisë që mbështet idenë e shkëputjes ndan bindjen se ka një shumicë politike në favor të dyshtetësisë, e cila i kapërcen linjat partiake. Guenther Pallaver, profesor i shkencave politike në Universitetin e Innsbruck-ut, është skeptik.

“Pa propozime konkrete në tryezë dhe pa sondazhe zyrtare opinioni, besoj se ky debat ka për të avulluar shumë shpejt pas votimeve të së dielës”, shprehet Pallaver.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA