Liqeni “Vistonida” në Greqinë veriore është bërë makthi më i keq për araknofobët, ose ata që kanë frikë nga merimangat, pasi ai është mbuluar nga rrjeta gjigante të endura nga qindra mijëra insekte të vogla.
Biologët thonë se fenomeni më i fundit, edhe pse i rrallë, nuk është i padëgjuar dhe shkaktohet nga moti i pazakontë i ngrohtë në këtë periudhë, që çon në një rritje të popullatës së mizave dhe insekteve.
“Kjo ka shkaktuar një mbipopullim të merimangave, pasi ka ushqim të mjaftueshëm për to”, thotë një biologe lokale, Euterpe Patetsini.
Të endura mbi shkurret anash rrugës, gardhet apo pemët e vogla, rrjetat kanë një gjatësi prej rreth 1.000 metrash.
“Kushtet e motit janë ideale për shumimin e tyre”, shton biologia.
Merimangat janë nga familja “tetragnatha”, të njohura si merimanga të gjata, për shkak të trupave të tejzgjatur të tyre. Ato ndërtojnë rrjetat afër habitateve ujore, me disa specie që thuhet se munden të ecin edhe në ujë.
Një rast i ngjashëm u regjistrua edhe në qytetin bregdetar grek të Aetolikos, muajin e kaluar. Rrjetat, sidoqoftë do të reduktohen dhe më pas do të zhduken, ndërsa temperaturat do të nisin të bien apo nëse do të fillojnë reshje shiu.
Top Channel