Top Story/ Ligji që solli mbi 4000 pika bastesh në terren. Ja lidhjet e forta të politikës me kumarin!

17/10/2018 21:53

Top Story, përveç të tjerave, u ndal dhe tek projektligji i propozuar nga Ministria e Financave për lojërat e fatit në vitin 2015, i cili ishte i rreptë si në mënyrën e taksimit, por edhe në rregullimin e industrisë së kumarit.

Ligji në fjalë parashikonte se të ardhurat e kompanive të bixhozit do të taksoheshin në masën 25%, duke rritur kështu barrën fiskale të tyre. Çdo kompani bastesh sportive nuk mund të hapte më shumë se sa 500 pika bastesh me nipte sekondare. Distanca qe duhej të mbanin pikat e basteve nga shkollat apo institucionet fetare ishte 200 metra.

Një nga pikat e projektligjit ishte edhe bllokimi i lojrave të fatit online, të cilat ishin deri në atë moment një treg i madh informal që qarkullonte mbi 500 milion euro.

Në fakt, mbyllja e faqeve online që merreshin kryesisht me baste sportive, indirekt do t’i jepte krah hapjes së mijëra salloneve të llotove sportive. Informaliteti virtual po zëvendësohej me këto të fundit. Megjithatë ligji i propozuar në vitin 2015, parashikonte edhe parandalimin e përhapjes së salloneve të basteve sportive.

Erio Braçe shpjegon se çfarë ndodhi me ligjin e hartuar, i cili mund të parandalonte gjithë pasojat që po ndodhin në shoqërinë shqiptare.

“Ligji u diskutua në Komisionin e Ligjeve, të Ekonomisë dhe Financave, me ndryshime fare të vogla që nuk cënonin thelbin e ligjit, në kufizime dhe taksim, kaloi në të dyja komisionet tona dhe në fund fare ndryshoi në seancë plenare më vullnet të lirë të deputetëve. Duke bërë favore të mëdha, sidomos për kompanitë e basteve dhe që thjeshtë shtyu në kohë problemin”, tha Erion Braçe.

Njëzet e katër orë para seancës plenare të 21 dhjetorit 2015, dy deputetë, Robert Bitri i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Esmeralda Shkjau e Partisë Socialiste, propozuan disa ndryshime thelbësore në ligj.

Ndryshimi i parë ishte që taksa mbi bixhozin të ishte vetëm 15%, nga 25% që propozonte ministria. Propozimi i dytë ishte që numri i nipteve sekondare që i lejohej cdo kompanie të rritej nga 500 në një mijë. Propozimi i tretë ishte që distanca e pikave të basteve nga njëra-tjetra dhe nga shkollat e objektet fetare të mos ishte 200 metra, por 100 metra.

Mbetet ende e paqartë lidhjet e Bitrit dhe Shkjaut me industrinë e kumarit, por ndryshimet e tyre u votuan direkt në parlament. Në këtë seancë, kryeministri Rama e refuzoi votimin, edhe pse ligji mori votat e mjaftueshme.

Këto ndryshime që iu bënë ligjit sollën një situatë absurde në terren. Nga 928 pika bastesh ne kohën e aksionit, numri i tyrë në 4 vjet, arriti në mbi 4000. Ky nuk ishte më fundi i marrëzisë, por ishte fillimi i një marrëzie të pafund.

Telenovela e ndryshimeve në ligjin për lojrat e fatit vazhdoi edhe më tej, gjithmonë në favor të biznesit. Lidhjet e politikës me kumarin ishin tepër të forta, por gjithmon në prapaskenë. Më mirë se çdo kush, këtë e dinte edhe Ministri i Brendshëm, i asaj kohe.

Më 22 nëntor 2016, gjashtë deputetë nga PS, LSI dhe PDIU propozuan shtyrjen e zbatimit të kriterit të distancave deri më 31 dhjetor 2018. Projektligji që favoriozonte hapur kumarin, u hartua nga një deputet i rëndësishëm i Partisë Socialiste, por çuditërisht ai nuk vendosi ta firmoste vetë.

Do të përdoreshin firmat e Ervin Bushatit, Ervin Koçit, Blerina Gjylametit, Luan Duzhës, Ylli Shehut dhe Tahir Muhedinit, për depozitimin e projektligjit në kuvend.

Ndryshimet kaluan qetësisht në paralement, me 72 vota pro, përfshirë edhe Kryesministrin Edi Rama, i cili mesa duket kishte ndryshuar qëndrim. Nga një ligj që synonte reduktimin dhe kufizime në industrinë e bixhozit, përfunduam në një situatë ku kjo industri u forcua akoma më shumë në treg.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA