Në Shqipëri, bota e kumarit është e lidhur ngushtësisht me botën e krimit. Kjo është kthyer në shqetësim edhe për vetë industrinë e lojrave të fatit. Vrasje, rrahje, shtantazhe dhe zhvatje, janë disa nga ngjarjet që kanë tronditur opinionin publik.
Mbrëmjen e 4 tetorit 2018, mbi 10 të shtëna tronditën zonën më të frekuentuar të Tiranës, ish Bllokun. Nga kjo ngjarje, mbeti i vrarë një person, ndërsa dy të tjetër u plagosën, mes tyre edhe një personazh i njohur, Ervis Martinaj. Ky i fundit është një prej biznesmenëve më të mëdhenj në fushën e bixhozit, duke kontrolluar mbi 900 pika bastesh sportive.
Ligji për lojrat e fatit, neni 45, sanksionon që kompanitë e bixhozit të deklarojnë para autoriteteve emrat e përfituesve finalë të kompanive, si dhe detyrimin e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit të mos licencojë kompani të lidhura me persona me të shkuar penale.
Nuk dihet nëse ngjarja në bllok detyroi kryeministrin Edi Rama të merrte këtë vendim për mbylljen e pikave të basteve, përfundimisht në Shqipëri. Por, dalja e tij publike, vetëm 5 ditë pas ngjarjes, ishte një sinjal i fortë për të goditur disa nga pronarët e basteve sportive, që kishin arritur kulmin e kontrollit në këtë industri.
Vendimi i kryeministrit Rama do të ulë ndjeshëm fenomenin e kumarit, por me gjasë nuk do të zhduket totalisht pas 1 janarit 2019. Bixhozi do të vijojë aktivitetin e tij, do të luhet në forma të paligjshme ose online.
Top Channel