Top Story/ 4000 sallone bastesh informale nuk kontrollohen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit

17/10/2018 22:01

Ligji i hartuar në vitin 2015 për lojërat e fatit, dhe i ndryshuar në parlament, solli reduktimin e numërit të kazinove elektronike, por në anën tjetër bastet sportive u përhapën në çdo pallat, shkollë dhe institucion.

Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti Mbikqyrës i Lojrave te Fatit, numri i pikave të basteve deri në fund të vitit 2017 ishte 4466 në total. Po kaq është edhe numri i pikave të basteve ilegale, që punojnë në treg të zi, pa asnjë kontroll. Erion Braçe, i intervistuar nga Top Story, thotë se asnjë kompani bastesh nuk kontrollohet online nga kompania që qeveria ka kontraktuar.

“Tani që flasim, thuajse 90% e lojrave elektronike, kazino e të tjera, janë të lidhura dhe kontrollohen në rrjet në kohë reale për xhiron e tyre. Ndërkohë që asnjë kompani bastesh, asnjë kompani bastesh, qofshin me licensë apo me nipte sekondare, nuk është e lidhur në rrjet. Dhe xhiroja e tyre nuk kontrollohet online përmes kompanisë që qeveria ka kontraktuar”, tha Erion Braçe.

Një nga vendimet e kryeministrit Edi Rama, ishte edhe pezullimi i Autoritetit të Mbikqyrjes së Lojrave të Fatit. Përtej robotizimit të këtij institucioni, duket se kishte të bënte më tepër me rezultatet e dobta në luftën kundër paligjshmërisë së botës së bixhozit.

Ligji Për lojrat e fatit, neni 19, pika 3, germa A, i miratuar nga parlamenti për t’u zbatuar nga Autoriteti i Mbikqyrjes së Lojrave të Fatit, përcaktonte se lejohen vetëm një mijë pika, për çdo licensë. Duke qenë se në treg operojnë vetëm 3 kompani të licensuara për baste sportive, atëherë numri i pikave nuk nuk duhej të ishte më i madh se 3 mijë. Por sot ne treg, kemi mbi 4400 pika bastesh të regjistruara. Pra, mbi 1400 pika janë në shkelje të këtij ligjit.

Fenomeni shkon edhe më tej, pasi burime konfidenciale për Top Story bëjnë me dije se në treg operojnë rreth 4000 sallone bastesh të tjera informale. Pra, në treg të zi dhe pa asnjë kontroll nga Autoriteti i Mbikqyrjes së Lojrave të Fatit.

Xhiroja e gjeneruar në total nga të gjitha këto pika, shkon në një miliard euro në vit. Nga këto, vetëm 130 milionë deklarohen në shtet, ndërsa mbi 800 milionë euro janë evasion fiskal. Një shifër e ngjashme e evazionit galopant, është raportuar edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Gjithashtu Neni 26, Pika 3, gërma D, e ligjit për Lojrat e Fatit, përcakton se çdo lojtar qe ve bast mbi 100 mijë lekë të reja, duhet të regjistrohet me kartë identiteti. Edhe kjo është një pikë e ligjit që nuk është zbatuar kurrë nga biznesi dhe as monitoruar nga Autoriteti Mbikqyrës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA