Albert Veliu, apo i njohur tashmë si Babalja, është njeriu që ka trazuar jetën politike të muajve të fundit, me dorëzimin e një audiopërgjimi, ku implikohej Agron Xhafaj, vëllai i Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafajt, në histori trafikimi droge.

Aktualisht Babalja ndodhet në kampin e azilantëve, në Prishtinë, ku gjykatat kosovare refuzuan kërkesën e autoriteteve shqiptare për ta ekstraduar, dhe pret që të fitojë statusin e azilantit politik në Kosovë.

Në një intervistë për emisionin “Open” në Top Channel, Albert Veliu tregoi për Eni Vasilin se audiopërgjimin ia kishte dorëzuar Jetmir Olldashit, për të cilin e dinte se punonte në SHISH dhe jo gazetar. Ai thotë se nuk trembet nga burgu, ndërsa rrëfen edhe se i janë bërë oferta.

Eni Vasili: Zoti Veliu faleminderit që pranuat ftesën për intervistën tonë dhe dua që ta fillojmë këtë intervistë me disa pyetje rreth jush. Si po i kaloni ditët në qendrën e azilkërkuesve në Kosovë?

Albert Veliu: Po mirë, si azilant, jetojmë brenda azilit.

Eni Vasili: Mendoni se autoritetet e Kosovës do t’ju japin azil?

Albert Veliu: Po… besoj se shteti i Kosovës është më i drejtë nga lart se shteti i Shqipërisë, janë më korrekt policinë e kanë më korrekte dhe gjithçka e kanë më korrekte sesa shteti jonë, janë shtet më korrekt.

Eni Vasili: Po, por policia e Kosovës erdhi pak ditë më parë dhe ju arrestoi?

Albert Veliu: Erdhi me urdhër të tjetër kujt.

Eni Vasili: Me urdhër të kujt?

Albert Veliu: Të një pale shteti tjetër, poshtë që unë s’ mund ta zë në gojë që është me urdhër të kujt sepse shteti i Kosovës nuk mund të vinte të më arrestonte mua në mes të azilit pa urdhërin e dikujt pas Shqipërie.

Eni Vasili: Me çfarë argumenti keni kërkuar azil këtu?

Albert Veliu: Unë azil kam kërkuar me argumentin sepse mua më rrezikohet jeta.

Eni Vasili: Kush ju ka kërcënuar?

Albert Veliu: Mua në datën 17 maj më ka dalë policia shqiptare që mbasi doli audiopërgjimi që për gjysmë ore, ju i dini, e kam shpjeguar edhe në Prokurori për gjysmë ore del zëri im dhe zëri i X që nuk do ta zë me gojë se nuk më intereson dhe më ka marrë në telefon X ku je se do të shuaj gjithë familjen edhe këtë e kam thënë në Prokurori dhe i kam thënë ku je ti se vij edhe unë.

Eni Vasili: Personi që ju keni përgjuar apo jo.

Albert Veliu: Pooo dhe më merr djali në telefon djali i madh, Klevisi më thotë o baba që je bërë figurë e njohur, tha, në Vlorë ça ka ndodh bir i babait se kur të thotë djali je bërë figurë e njohur makinës dhe vetë takoj djalin qe me mikun tim, me Nertilin, që ka barë muzikën në Lungomare vetë shikoj një video aty përgjimet, por pa faktikisht unë këtë ja kisha dhënë një të SHIK-ut, Olldashit. Unë e dija që ishte i SHIK-ut, nuk e dija që ishte gazetar, ja kisha dorëzuar.

Eni Vasili: Do t’ju pyes me detaje edhe njëherë?

Albert Veliu: Dhe mbasi ndodh kjo gjë unë iki në Tiranë për të takuar këtë të SHIK-ut që ça ke bërë o vëlla pa dijeninë time.

Eni Vasili: Përse ti nuk e dije që do të transmetohej.

Albert Veliu: Fare dhe ndodhi diçka tjetër. Shefi i Krimeve të Vlorës vete te puna e djalit tim i thotë nëm çik numrin e babit, i thotë djali, për ça e do numrin e babait Alketi, ky shef i krimeve të Vlorës, për ça e do numrin e babait. Po jo kemi urdhër për ruajtje pa dalë emri im, pa dalë emri im ne televizor vetëm dëshmitari X siç ishte në ato momente shteti me një fjalë çoi direkt ruajtje për mua dhe unë i thashë s’kam nevojë dhe mos merr më në telefon. Thashë se unë s’kam bërë gjë, i thashë.

Eni Vasili: Përveç këtyre momenteve, keni pasur kërcënime të tjera?

Albert Veliu: Po, kam patur, kur më arrestuan në Kukës.

Eni Vasili: Ju ishit nisur ndërkohë për të bërë…

Albert Veliu: Isha nisur për të bërë shpenzimet e mia diku, do bëja pazaret e mia, do dilja për qejfin tim, se unë isha shtetas i lirë nuk isha në kërkim, do vete ku të dua.

Eni Vasili: Do të shkonit në Kosovë për…

Albert Veliu: Në Kukës, jo në Kosovë. Do iki në Shkodër, në Kukës në Tropojë të miqtë e mi do veja të haja një drekë.

Eni Vasili: Në datën 18?

Albert Veliu: Në datën 18 do veja të haja një drekë, do ikja ku të doja se jam shtetas i lirë. Nuk isha në kërkim isha një dëshmitar. Më kanë dalë 6 me maska, isha në një restorant në Kukës. Më kanë ardhur në kokë, pa uniformë policie, targat angleze, gjermane asnjë targë shqiptare. Makina si të grabitura.

Eni Vasili: Kush ishin? Si u prezantuan?

Albert Veliu: Si kemi erdhur nga shteti, si më morën këtu në kamp e njëjta gjë është, më kanë mbajtur 3 orë peng në Laç në një rrugicë sa ka dalë tablua ime në Parlament. Doli ajo thënia ime se mos kish dalë ajo, unë isha i vrarë, më ka çuar në Prokurori te Shkalla e Parë.

Eni Vasili: Cila thënie? Çfarë thënie ka dalë në Parlament?

Albert Veliu: Doli tablua ime që e dhashë natën intervistën dhe ajo më shpëtoi jetën se kishin urdhër për të më hedhur në kanal, si aksident.

Eni Vasili: E merrni me mend këtë apo ja u kanë..

Albert Veliu: Është e saktë, të mbash tre orë peng kur ty të jep urdhër qeveria që mere filanin që ke urdhër për arrest a për ndonjë gjë do më çonin në Prokurori direkt.

Eni Vasili: Po ku ju mbajtën? Në Laç?

Albert Veliu:
Në autostradë, tre orë në një rrugë, tre orë peng, brenda në makinë.

Eni Vasili: Çfarë ju thoshin?

Albert Veliu: Që ç’ne t’i me këtë presion. Nga më të ndryshmet. Erdhi një shef tjetër, një i madh, një shef i Beratit. Kush s’ka ardhur.

Eni Vasili: Mban mend ndonjë emër?

Albert Veliu: Emra nuk mund të zë në gojë se të tjerët hanë bukë, ushqehen, mbajnë familjen s’kanë faj, kanë urdhër.

Eni Vasili: Nga këta shefat dua të di…

Albert Veliu: Nuk mund të zë emrash shefash në gojë, ato e di ai i madhi që kishte treguar.

Eni Vasili: Pra, shefi i Beratit kush ishte tjetër.

Albert Veliu: Nuk e di, qe i Beratit me origjinë, ishte nga Berati. Po ishte dikushi nuk dua t’i zë emra në gojë se ushqejnë familjen të gjithë, se janë hallexhinj të gjithë, se bëjnë nga dëshira e tyre e bëjnë nga puna.

Eni Vasili: Pastaj ju liruan? Kur ju liruan?

Albert Veliu: Më kanë çuar në Prokurori. Më morën kampionin e zërit në orën 11:00 kam vajtur në Prokurori, më kanë kapur në orën7 pa 20 të mëngjesit dhe më kanë çuar në 11 në Prokurori imagjino të rrish tre orë rrugëve sikur kisha bërë ndonjë 100 vrasje. Njëri sa më kanë çuar në prokurori më ka marrë një prokuror, më ka marrë këtë të zërit. Trashe, holloje, ja dhashë kampionin tim, më ka thënë, t’i me X e di që ka katër defekte X në gurmaz në zanore që është audiopërgjimi im.

Eni Vasili: Qëndrojmë tek nata që juve thoni që ju morën peng, çfarë ore dhe kur filloi?

Albert Veliu: Mua më ka marrë, kam qenë me taksixhi, më ka marrë, kam qenë po ikja për në Tropojë. Ta them troç te një miku im, nuk e zë emrin në gojë se është dikush ai në Tiranë.

Eni Vasili: Në çfarë date bëhet fjalë?

Albert Veliu: Atë ditë që më arrestuan më kanë mbajtur 3 orë peng në makinë.

Eni Vasili: Pastaj, juve kur e kaluat kufirin?

Albert Veliu: Kufirin unë e kalova në datën 24, nuk e kalova kufirin unë. Nuk është shkelje e paligjshme siç thotë shoku kryeministër, ka kaluar kufirin e paligjshëm. Kam kaluar mes doganës, nuk kam kaluar maleve, kam kaluar mes doganës në këmbë bashkë me djalin.

Eni Vasili: Dhe nuk ju ndaloi askush?

Albert Veliu: Askush nuk më ndaloi.

Eni Vasili: Se në Shqipëri besoj e dini se akuzoheni për kalim të paligjshëm të kufirit?

Albert Veliu: Unë kam kaluar mes doganës. Hapni kamerat bashkë me djalin. Bashkë me djalin pa asnjë lloj rrobe vetëm në këmbë të dy me pasaportat në duar. Pasaportat i kemi dorëzuar në policinë e Kosovës kam kaluar rregullisht në doganë nuk kam kaluar maleve.

Eni Vasili: Çfarë ndodhi pasi kaluat kufirin?

Albert Veliu: Në Shtim u afruam në autobus deri në fshatin Shtimë. Ndenjëm nja dy ditë në hotel se nuk dija ku të veja, tani se edhe me probleme me krizë koke. Tani të riskohej jeta, presion familjes, presion mua, presion vëllait tim që kam në Vlorë i kishin thyer xhamat e makinës e presion në shtëpi në punë kunatës sime që është doktore….presion gjithë fisit tim.

Eni Vasili: Pra, morët autobusin dhe vajtët, ku?

Albert Veliu: Në Shtimë mora një hotel te “Titaniku”, ku më arrestuan në Shtimë po rija më djalin shikoj një me “Audi” vinë më merr një miku im që kemi bërë pushimet në Shqipëri. Më merr me nxjerr për Bajram për të festuar Bajramin se jemi myslymanë. Vjen një makinë shqiptare me një femër, pas policia dhe një tjetër e kufirit ka qenë një Berti, Berti, shef i kufirit. Hap krahun, hap krahun zotëria dhe më thotë. Mua një femër nxjerr tablon në mes të rrugës që nuk lejohet me nxjerr tablo dhe tablon time e çon në Tiranë direkte ajo zonja që është ky apo jo.

Eni Vasili: Nxjerr fotografinë…

Albert Veliu: Na marrin në polici. Aty, sipas të drejtave, kërkova azil politik se kthim pas nuk bëja dot se më rrezikohej djali.

Eni Vasili: Po ju kur u nisët e kishit për qëllim këtë që të kërkonit azil politik.

Albert Veliu: Po, po, po që kur u nisëm për azil politik se s’kishim ku të gjenim mbështetje, se unë nuk merrem me parti, as me PD as me PS, partia ime është partia çame. Partine çame, jepja jetën time.

Eni Vasili: Pra, u dorëzuat në polici dhe kërkuat.

Albert Veliu: Azil politik, mbrojtje nga shteti kosovar se më rrezikohej jeta.

Eni Vasili: Mendoni se do ta fitoni azilin?

Albert Veliu: Azilin do ta fitoj se janë këto konventat e Evropës. Këto që më mbështesin.

Eni Vasili: I trembeni një ekstradimi në Shqipëri?

Albert Veliu: Të më garantojë shteti kosovar. Të më çojë shteti kosovar, të ballafaqohem unë nga ky shtet. Kam garanci vetë të më dalë garant ky lloj shteti, ati shteti poshtë nuk i kam garanci se m’u të më bëjnë ndonjë aksident, siç ja u kanë bërë të tjerëve në mes të rrugës, e lënë aksident.

Eni Vasili: Pra, nuk ke besim?

Albert Veliu: Gjallë në botë, jo për ballafaqim kur të dalë X nga burgu të vijë të ballafaqohet me zërin tim të marrë kampionët e zërit tim edhe te X ti vënë të dalin është apo nuk është e vërtetë?

Eni Vasili: Ju vazhdoni i qëndroni versionit tuaj se zëri i regjistruar është i Agron Xhafajt…

Albert Veliu: Gjer në vdekje, nuk e di, nuk dua të zë emra në gojë, por gjer në vdekje. Ato zë që janë regjistruar janë gjer në vdekje dhe nuk më bën dot pasi njëri sikur të mendojë si të dojë dhe të japë edhe njëherë gastro nuk trembem nga burgu trembem me një fjalë mos më ngacmojnë familjen, mos bëjnë ndonjë presion në familje, se po më bëjnë shantazh. Të siguroj djalin, hajde poshtë.

Eni Vasili: Kush po u bën presion? Ku dhe si?

Albert Veliu: Më ka sjellë një person që mos të zë emra në gojë më ka thënë të garantojmë djalin me pasaportë maqedonase. Hajde poshtë e kalojmë në shpifje dhe t’i del nga burgu.

Eni Vasili: Pra, ti të rikthehesh në Shqipëri të thuash që nuk ishte e vërtetë.

Albert Veliu: Po dhe djalin ta nisin direkt me pasaportë maqedonase, që sot po të duash, tha, po unë nuk pranoj.

Eni Vasili: Ta nisin, ku?

Albert Veliu: Ku është zonja ime me djalin e madh…

Eni Vasili: Ku janë ata?

Albert Veliu: Nuk mund ta shpreh ku janë se ato i di shteti shqiptar që kanë agjentët e tyre që ata e dinë ku janë zotëria që po ndjek njerëzit këmba këmbës.

Eni Vasili: Po thoni që janë kërcënuar edhe jashtë

Albert Veliu: Po, kam marrë shumë kërcënime

Eni Vasili: Në ç’formë? Më shpjego pak?

Albert Veliu: Në shumë forma që atje i mbron shteti, nuk hyn dot atje se atje është tjetër shtet, ku janë ata, janë shtet shumë i fuqishëm, janë shtet që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe janë shteti i të drejtës që i japin të drejtë gjithë Europës, jo me dava spiunët tona.

Eni Vasili: Ti flet për kërcënime edhe këtu në kamp, përveç personit që siç the, ka ardhur dhe ka premtuar që të ktheheni dhe të tërhiqni.

Albert Veliu: Jo, jo. Dje ka ardhur edhe një makinë me 4 persona me tatuazh dhe kanë pyetur si janë marrëdhëniet në kamp, ç’a rojesh bëjnë? Sa roje janë? Dhe aty u lëshua gjithë policia mbrëmë ka rrethuar gjithë zonën kanë qenë 2 me dritë dore pas gardheve, nuk e di kush kanë qenë.

Eni Vasili: Makinë ma targa shqiptare…

Albert Veliu: Me shqiptare, xhip i zi, plus janë regjistruar në polici edhe shumë makina të tjera që ven e vijnë afër kampin, targa shqiptare fotografojnë provokojnë.

Eni Vasili: Pra, në një farë mënyre ndihesh i kërcënuar?

Albert Veliu:
Shumë i kërcënuar dhe ky vend për mua nuk është shumë i sigurt.

Eni Vasili: Po pse mendon se gjithë këto makina vijnë për ty.

Albert Veliu: Këto e bëjnë për të më kërcënuar, mua që unë të bëj dorëheqje nga e vërteta ime.

Eni Vasili: Përse mendon se janë për ty dhe jo për dikë tjetër?

Albert Veliu: S’ka, vetëm unë jam aty, jam bashkë me djalin. Ata të tjerët që janë aty janë afrikanë. Ata vijnë dhe ikin, marrin rrugën për në Serbi dhe thonë që është person që prish çështjen që mund të iki nga azili. Unë kam 5 muaj kam kërkuar mbrojtje këtu, të qe për të iki nga azili unë kisha ik me kohë.

Top Channel