Segmenti më problematik Klos-Burrel, pjesë e aksit nacional Milot-Peshkopi do t’i nënshtrohet rehabilitimit të plotë në të gjithë gjatësinë e tij 18.6 km.
Investimi i financuar nga qeveria në kuadër të programit të mirëmbajtjes së rrugëve është në vlerën 3.7 milionë euro pritet të përfundojë në rreth 8 muaj. Ministri Damian Gjiknuri që inspektoi hapjen e punimeve tha se në 20 vite në këtë rrugë nuk është bërë asnjë investim serioz, edhe pse është aks i rëndësishëm për ekonominë shqiptare.
Sipas tij me rikonstruksionin e këtij aksi distanca mes Klosit dhe Burrelit do të përgjysmohet dhe me ndërtimin e rrugës së arbrit, e gjithë zona do të ketë përfitime ekonomike.
“Për herë të parë po bëhet një rikonstruksion i thellë i gjithë kësaj rruge dhe realisht kjo ka qenë nga nyjet shumë të rëndësishme për ekonominë shqiptare, sepse ka edhe transportin e mallrave sidomos nga pjesa e Bulqizës drejt uzinës së Burrelit apo drejt portit të Durrësit. Nga pikëpamja strategjike kjo është një nga rrugët e rëndësishme që meritonte ndërhyrje me kohë. Fatmirësisht programi jonë për rehabilitimin e rrugëve, programi kombëtar qoftë për ndërtimin e rrugëve të reja, qoftë për rikonstruksionin e atyre që kemi po jep frytet e duhura dhe ky investim serioz do ta ndihmojë shumë bashkinë e Klosit dhe bashkia e Klosit ka edhe një fat sepse me përfundimin e rrugës së Arbrit dhe me këtë lidhje të re në drejtim të Burrelit do të jetë një bashki që do të ketë një akses të jashtëzakonshëm në të gjitha drejtimet e Shqipërisë dhe komuniteti këtu do të ndjej përfitimet ekonomike”, tha Gjiknuri.
Gjiknuri tha se me ketë investim u mbyllet goja edhe skeptikeve qe deklarojnë se qeveria e ka harruar këtë krahinë. Ndërsa ministrja e mbrojtjes Olta Xhaçka, tha se ky është një tjetër investim i rëndësishëm për qarkun e Dibrës, pas punimeve që janë intensifikuar në Rrugën e Arbrit.
Top Channel