Kina ka konfirmuar ndalimin e ish-shefit të Interpolit, Meng Hongwei. Pekini ka njoftuar se ai po hetohet nga trupa e Antikorrupsionit në vend për shkelje të paspecifikuar të ligjit.
Meng, i cili është njëkohësisht një zv.ministër për sigurinë publike në Kinë, u raportua i humbur pasi udhëtoi nga Lioni i Francës, ku ka selinë Interpoli, drejt Kinës më 25 shtator.
Më herët ishte Interpoli që kishte njoftuar marrjën e dorëheqjes së tij nga presidenca e organizmit, gjatë së dielës, një dorëheqje që ishte me efekt të menjëhershëm.
Ndërkohë, bashkëshortja e Mengut, Grace u ka thënë reporterëve se burri i saj i kishte dërguar një mesazh me një thikë si “emoji”, ditën që ai ishte zhdukur. Ajo tha se çështja e bashkëshortit të saj duhej të ishte tashmë nën shqyrtimin e “ligjit ndërkombëtar dhe opinionit publik ndërkombëtar”.
Të hënën, pas disa ditë spekulimesh mbi vendndodhjen e Mengut, Komisioni Kombëtar i Mbikëqyrjes në Kinë njoftoi përmes një deklarate se ai është vënë nën hetim. Ky komision menaxhon rastet e korrupsionit, në të cilat janë të përfshirë punonjësit publikë.
Meng është personi i fundit i profilit të lartë që zhduket në Kinë, aty ku një numër i shumtë zyrtarësh qeveritarë, miliarderësh apo edhe personalitetesh janë zhdukur pa lënë gjurmë gjatë muajve të fundit.
Javën e kaluar, aktorja Fan Bingbing, e cila ishte zhdukur në Kinë prej korrikut, doli me një falje publike dhe rezultoi e gjobitur me 883 milionë juanë (129 mln dollarë) për evazion fiskal dhe shkelje të tjera.
Në një deklaratë të publikuar në “Twitter”, Interpoli njoftoi se kishte marrë dorëheqjen e parevokueshme të Meng, ndërkohë që bazuar në rregulloren e vet ka emëruar zv.presidentin Kim Jong-yang nga Koreja e Jugut si president në detyrë. Presidenti i ri, që do të zgjidhet vetëm për dy vitet e mbetura të mandatit të kinezit, pritet të dalë nga punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit që do të mbahet në Dubai muajin e ardhshëm.
Top Channel