Kandidati i së djathtës në Brazil, Jair Bolsonaro mund të fitojë zgjedhjet. Mbase jo që në turnin e parë të presidencialeve, ku votimi do të kryhet të dielën, por në balotazhin me të riun Fernando Haddad, të Partisë së Punëtorëve.
Ai do të jetë presidenti i parë ish-ushtarak, që prej kohës kur përfundoi diktatura në vitin 1984. Njerëzit nuk flasin me dëshirë për politikë. Rezervimi, privatësia, sekreti i votës respektohen me rigorozitet. Por, mjafton të përmendet emri i Bolsonaros, që të gjithë të shfaqin shpresë për qetësi dhe rregull.
Jair është burri i fortë klasik i së djathtës, populist me theks te sovraniteti. E duan të rinj dhe shumë gra, mbështetet gjithashtu edhe nga militarët. Është një “Trump” brazilian, komunikues i madh në rrjetet sociale. Thotë gjëra të drejtpërdrejta, të qarta, që mbërrijnë drejt e në barkun e njerëzve, të cilët e duan një sinqeritet të tillë. Ofron zgjidhje drastike, por zgjidhje!
Ndërkohë, duhet menjëherë të frenohet dhuna, të garantohet siguria, fëmijët të dërgohen të qetë nëpër shkolla, e në plazh të qëndrohet rehat, pa shqetësimin e hajdutëve apo kriminelëve.
Nëse flitet për Lulën, vërehen vetëm mimika të vrenjtura dhe përçmim. Ndihet dëshira për rend. Jair Bolsonaro e nuhat këtë dëshirë dhe e ushqen. Brazili është një vend i madh, i cili zë gjysmën e kontinentit të Amerikës së Jugut. I ka të gjitha lëndët e para.
Nëse Bolsonaro do të fitojë, do të krijohet një qeveri ushtarake. Një kaste, të mbetur për 20 vite në hije, i vjen momenti të ripropozohet me një kandidat të shkëlqyer.
Top Channel