Gjykata e Apelit në Shkup ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore për dënimin e ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikola Gruevski, me dy vite burgim.

Gruevski është shpallur fajtor për rastin “Tanku”, që ka bëjë me shpërdorimet për blerjen e një makine të llojit Mercedes, për afro 600 mijë euro. Për të njëjtën vepër penale, me 4 vite e gjysmë burgim është dënuar edhe ndihmësministri i Punëve të Brendshme, Gjoko Popovski, ndërsa një proces i veçantë po zhvillohet edhe ndaj ish-ministres Gordana Jankulovska.

Në vitin 2011, MPB-ja kishte vendosur të blinte një makinë të blinduar deri më 243 mijë euro. Por, me këmbëngulje të ish-kryeministrit Nikola Gruevski, ministrja Jankulovska kishte nënshkruar vendimin për blerjen e një makine tjetër, të pajisur sipas shijeve të Gruevskit, vlera e së cilës kishte arritur në mbi gjysmëmilioni euro.

Shpërdorimet janë zbuluar nga afera e përgjimeve telefonike të publikuar nga LSDM-ja, e cila në atë kohë ishte në opozitë. Procesin gjyqësor e ka udhëhequr Prokuroria Speciale, e formuar për hetimin e shpërdorimit të detyrës së qeverisë së kaluar.

Nikola Gruevski ka drejtuar Qeverinë e Maqedonisë për 10 vite, sikurse edhe partinë opozitare VMRO-DPMNE. Gruevski vet e ka cilësuar procesin si “të montuar”.

Vendimi i Gjykatës së Apelit për ish-kryeministrin Gruevski vjen në një kohë kur opozitës maqedonase po i kërkohet votimi i ndryshimeve kushtetuese, që do të çonin në ndryshimin e emrit të vendit, por që kjo e fundit nuk e pranon, e madje kërkon dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit aktual, Zoran Zaev.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA