Gjyqtari i jurisë supreme të Perusë, Hugo Nunez ka urdhëruar arrestimin e ish-presidentit Alberto Fujimori, duke anuluar faljen që i është bërë dhjetorin e shkuar për shkaqe shëndetësore.
Nunez ka mirëpritur kërkesën e paraqitur nga familjet e viktimave të një masakre të urdhëruar nga Fujimori, president në vitin 1992, i cili do të rikthehet në burg pas më pak se një viti lirie.
Fujimori, diktator i vendit amerikano-latin në vitet 1990-2000, u dënua në 2009-n me 25 vite burg, për shkelje të të drejtave të njeriut. Ai urdhëroi kryerjen e masakrave të Barrios Alto në vitin 1991 dhe Kantutes në 1992-shin, të ekzekutuara nga grupi paramilitar “Colina”.
Dhjetorin e shkuar, ish-presidenti Pedro Pablo Kuczynski i kishte dhënë faljen Fujimorit, mbi bazën e një raporti shëndetësor, sipas të cilit 80-vjeçari vuante nga një sëmundje e rëndë “degjenerative dhe e pashërueshme” dhe se mbajtja në burg ia rrezikonte rëndë jetën.
Opozita e akuzoi Kuczynskin se faljen e kishte dhënë për të shmangur implikimin e tij në afera të caktuara korruptive, siç u konfirmua marsin e kaluar në skandalin e korrupsionit që çoi në dorëheqjen e presidentit.
Avokatet e Fujimorit mund të paraqesin një apel, sipas të cilit “falja është një e drejtë kushtetuese që i takon kryetarit të shtetit. Një gjyqtar nuk mund të përmbysë një vendim të presidentit, por duhet të respektojë parimin e ndarjes së pushteteve”.
Top Channel