Mazhoranca bën edhe opozitën. Erion Braçe ankohet: Ministri Ahmetaj tallet

04/10/2018 15:02

Në mungesë të demokratëve, mazhoranca ia bëri vetë opozitën qeverisë në Parlament. Kreu i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave u ankua ndaj ministrit Arben Ahmetaj, se po injoron kërkesën e tij për interpelancë, ndonëse kanë kaluar dy javë përtej afatit maksimal që qeveria ka për t’u përgatitur.

Për të shprehur shqetësimin e tij, Erion Braçe u duk se shfrytëzoi edhe një fjalë në gjuhën flamane që përdoret në Holandë.

“Kërkoj interpelancë për një çështje konkrete me interes publik. Kanë kaluar 2 javë dhe unë akoma pres. Është neni 80 i Kushtetutës jo pika 80 e dëshirave të mia. Kemi 6 muaj që komunikojmë me shkresa, me lejoni të them se përgjigjet që kam marrë janë tallje ‘luli’. Bëhet fjalë për ligjshmërinë fiskale të një institucioni të caktuar, për detyrimet që përcakton ligji për sportin që duhet të ishin arkëtuar në buxhetin e shtetit prej vitesh”, tha Braçe.

Ministrin e mbrojti kreu i Parlamentit.

“Ministri ka qenë një javë jashtë shtetit për të ndjekur shërbimet e Eurobondit dhe ka kërkuar një kohë dhe me shumë mundësi do të jetë disponibël javën e ardhshme”, tha Ruçi.

Vetë ministri i Financave injoroi shqetësimin e kolegut të tij të mazhorancës, ndërsa foli për rritjen e investimeve të huaja dhe atë që e quajti sukses të Shqipërisë me eurobondin në tregjet e huaja financiare.

“Përshëndes grupin parlamentar për atë mbështetje që i bëri procesit tejet delikat të emetimit të Eurobondit në tregjet ndërkombëtare për të zbutur të gjitha rrisqet që mund t’i dilnin ekonomisë shqiptare”, tha Ahmetaj.

Mazhoranca nuk harroi as opozitën. Numri dy i PS-së akuzoi demokratët se para se të propozonin vettingun në politikë, për të cilin ka braktisur edhe Parlamentin, kishte kërkuar Pazar politik në kurriz të reformës në drejtësi.

“Partia Demokratike kërkoi Pazar për të ndryshuar 7 ligjet e vettingut, pasi nuk morën asnjë përgjigje për pazaret e kërkuara hynë në një diskutim, i cili ka përfunduar që ditën e parë që kemi miratuar reformën në drejtësi. Reforma në drejtësi ka në thelb objektivin e vettingut të politikës”, u shpreh Balla.
Gjatë kësaj seance, mazhoranca miratoi rritjen e organikës dhe pagave të tre organeve të vettingut, me të cilat edhe ishte dakortësuar më herët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA