Qindra inspektorë tatimesh kanë dalë në terren për të konstatuar evazionin fiskal, kush nuk pret kuponin tatimor apo mban punëtorë në të zeze.
Por 3 inspektorë të zbatimit nga Tirana, në vend që të luftonin paligjshmërinë, kryenin akte korruptive. Ata i vinin gjoba bizneseve me probleme që varionin deri në 200 mijë lekë. Tre muaj nën hetim dhe disa denoncime mjaftuan për ti prangosur ata.
Inspektorët e hetimit tatimor, Gentian Elezi dhe Artan Kroj u arrestuan në flagrancë, ndërsa një i tretë është shpallur në kërkim.
Ndaj tyre gjykata e Durrësit ka vendosur edhe masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa hetimet kishin nisur që në muajin korrik nga Krimi Ekonomiko Financiar dhe organi i akuzës. Sipas burimeve, janë dokumentuar disa raste të marrjes së ryshfetit nga inspektorët e rajonit qendror Tiranë, drejtori që mbulon edhe qytetin e Durrësit.
Menjëherë pas ndalimit drejtoria e përgjithshme e tatimeve njoftoi edhe lirimin nga detyra të 3 inspektorëve që akuzohen për “korrupsion pasiv” dhe aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, si dhe “Shpërdorim të detyre”.
Gjatë sezonit turistik tatimet zhvilluan një aksion të gjerë në zonat bregdetare me qëllim luftën ndaj informalitetit.
Baret dhe restorantet që kapeshin përsëritës, duke mos dhënë kuponin tatimor, bllokoheshin nga tatimet për 30 ditë. Kjo masë drastike detyronte bizneset që të paguanin nën dorë gjobat ndaj inspektorëve të tatimeve në mënyrë që mos u prishej aktiviteti gjatë sezonit turistik.
Top Channel