Me një histori të lashtë e shumë të pasur, në të cilën kryqëzohen jo vetëm kulturat e qytetërimet, por edhe besimet fetare, qyteti bregdetar i Durrësit ofron edhe mjaft objekte të kultit fetar, pjesë e trashëgimisë kulturore dhe bashkëjetesës fetare.

Krahas Bazilikës së Arapajt, Kishës së Shën Ndoit te Kepi i Rodonit, xhamia e vogël e Durrësit i ka rezistuar shekujve dhe konsiderohet një objekt me vlera të shumta historike, kulturore dhe arkitekturore.

Xhamia Fatih është një nga tri xhamitë më të vjetra në vendin tonë. E restauruar plotësisht në vitin 2012, ajo është kthyer në një atraksion turistik për të gjitha grupet e turistëve të huaj. Që në vitin 1973, kjo xhami u shpall monument kulture dhe mbrohet nga shteti.

Pasi Durrësi u bë pjesë e Perandorisë Osmane, kjo xhami ishte i pari objekt fetar që u ndërtua në qytet, në vitet 1502-1503, mbi rrënojat e një bazilike të krishterë të shekullit XI. Xhamia mban emrin e Sulltan Mehmet Fatihut II. Ka formë katërkëndore të rregullt dhe është e mbuluar me çati, ndryshe nga objektet e tjera të kultit islam që kanë kube.

Në fillim të viteve ’90, xhamia iu rikthye aktivitetit fetar, por pa e humbur statusin e monumentit të kulturës. E vendosur në një nga rrugicat e vjetra të qytetit të Durrësit, pranë Murit Bizantin, Amfiteatrit Romak, Muzeut Etnografik dhe Torrës Veneciane, xhamia është lehtësisht e vizitueshme dhe pret turistë vendas e të huaj për t’i njohur me vlerat historike dhe elementet e veçanta arkitekturore të saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA