Diplomati amerikan Donald Lu nuk foli as për trafikun e drogës së Habilajve, me të cilën ishte përfolur Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Ndryshe nga sjellja me deputetë të tjerë, ku ambasadori amerikan u kishte lakuar emrin, në rastin e Tahirit, ai heshti.
Madje, ai shkoi deri në mbrojtje të ish Ministrit të Brendshëm, duke thënë se ndaj tij, nuk duhet të bëhet një persekutim politik, si në kohën e regjimit komunist.
“Ajo që dini është se në komunizëm, Shqipëria kishte problemin e turpshëm të udhëheqësve komunistë që dërgonin njerëz të pafajshëm në burgjet më të tmerrshme.
Nuk do të ishte e përshtatshme për mua të them nëse Saimir Tahiri është fajtor apo i pafajshëm”, Tha Donald Lu.
Lu u kthye në mburojë politike edhe për Ministrin e ri të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, vëllai i të cilit po kryen një dënim në Itali, për trafik droge.
Teksa shumë qytetarë dënohen për gramatura të vogla kanabisi, vriten në komisariatet e policisë dhe arrestohen padrejtësisht…diplomati amerikan ka mbajtur një pozicion indiferent për këto raste.
Dhe për këtë, ish Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, për Top Story thotë që bilanci i Lu, ishte një zhgënjim i madh.
“Brenda 4 viteve të shërbimit të tij. U nis me një kontribut të jashtëzakonshëm, por zhgënjimi sigurisht është i jashtëzakonshëm. Dhe kjo është e rëndë”, tha Manjani.
Përveç klasës politike, në axhendën e tij diplomatike, Donald Lu sulmoi edhe botën e krimit. Ai foli për Emiljano Shullazin, Klement Balilin, Lulzim Berishën, Arben Frrokun dhe shumë të tjerë, Që për z. Manjani nuk është gjë tjetër përveçse propagandë.
“Propagandë, asgjë tjetër. Nuk është asnjë e re në këtë histori, me përjashtim të Shullazit, nuk di të jetë arrestuar ndonjë tjetër”, – u shpreh z. Manjani.
Top Channel