Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kanë filluar një trajnim së bashku për të kryer patrulla të përbashkëta së shpejti në zonën Manbij, në Sirinë veriore.
Lajmi u dha të hënën nga Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, ndërsa ky bashkëpunim vjen pavarësisht nga marrëdhëniet e tensionuara mes dy vendeve, që janë shoqëruar me një betejë të fortë ekonomike.
Siç është rënë dakord nga dy aleatët e NATO-s në qershor, forcat turke dhe amerikane aktualisht po kryejnë patrullime në Manbij, por ato janë të pavarura nga njëra-tjetra, ndërsa trajnimi është hapi i fundit para se të dy vendet të kryejnë patrullime të përbashkëta.
Muajin e kaluar Ankaraja tha se patrullimet e përbashkëta dhe trajnimi për ata do të fillojnë së shpejti, ndërsa vetë Mattis tha se patrullimi i përbashkët do të vijë vetëm pasi të ketë përfunduar patrullimi i plotë.
Marrëdhëniet mes Shteteve të bashkuara të Amerikës dhe Turqisë janë tensionuar së fundmi, lidhur me mbajtjen në paraburgim të pastorit amerikan Andrew Brunson, i cili akuzohet nga Ankaraja si organizator në grushtin e shtetit të vitit 2015.
Presidenti Donald Trump, i zemëruar nga vendimi i Ankarasë për të mos lënë të lirë Brunsonin, autorizoi të dyfishoheshin tarifat për aluminin dhe çelikun e importuar nga Turqia, në gusht. Edhe Turqia u hakmor duke rritur tarifat ndaj importeve amerikane, kryesisht pije alkoolike dhe duhan.
Top Channel