Nobeli i Fizikës shkon për 3 shkencëtarë. Një femër nderohet pas 55 vitesh

02/10/2018 12:33

Çmimi Nobel në Fizikë për vitin 2018 i jepet një gruaje, për të parën herë në 55 vite. Donna Strickland, nga Kanadaja, është gruaja e tretë që e fiton çmimin prestigjioz, pas Marie Curie në vitin 1903 dhe Maria Goeppert-Mayer në vitin 1963.

Strickland e ndan çmimin e këtij viti me Arthur Ashkin nga Shtetet e Bashkuara dhe Gerard Mourou nga Franca.

Çmimi iu akordua për zbulimet e tyre mbi përdorimin e lazerit në shumë fusha. Ashkin ka zhvilluar një teknikë të përdorimit të lazerit për të studiuar sistemet biologjike, ndërsa Mourou dhe Strickland kanë punuar po ashtu në këtë drejtim, duke zgjeruar mundësinë e përdorimit të lazerit me përfshirjen në operacionet e syrit.

Para zbulimeve të tyre, fuqia kulminante e impulseve të lazerit ishte e kufizuar, sepse kur lëshohej me intensitet të lartë shkatërronte materialin e përdorur për të apmlifikuar energjinë e tyre. Kërkuesit bënë të mundur që fillimisht të shtrinin impulset lazer në kohë, për të reduktuar fuqinë e tyre maksimale, më pas i amplifikuan dhe në përfundim i kompresuan.

Pas njoftimit për fitimin e çmimit, Strickland, e cila punon në Universitetin Waterloo në Kanada, ka thënë se “fillimisht mendoi se kjo ishte çmenduri”.

“Ky ishte mendimi im i parë. Duhet të mendosh nëse ka ndodhur vërtet”, është shprehur ajo. Çmimi ka një vlerë prej 9 milionë kronorash suedeze, ose 998.618 dollarë.

Një ditë më parë u dha Nobeli në Mjekësi, i cili u shkoi dy kërkuesve të rëndësishëm në luftën kundër kancerit. Amerikani James P. Allison dhe japonezi Tasuku Honjo arritën, sipas jurisë së çmimit prestigjioz në Stokholm, të vendosnin një gur të ri themeli në këtë betejë të gjatë e të vështirë. Ata realizuan zbulime vërtet inovative, sesi mund të përdoret sistemi imunitar i njeriut për t’i luftuar vet qelizat kanceroze.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA