Një tjetër efektiv i Gardës së Republikës i dha fund jetës në rrethana enigmatike duke u vetëvrarë me armën e shërbimit.
Ariol Mançe mbrëmjen e së hënës ishte me shërbim në këtë hyrje dytësore të institucionit, kur rreth orës 23:00 qëlloi veten.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se në momentin e aktit të rëndë të vetëflijimit, 30-vjeçari ka qenë në gjende të rënduar psikologjike. Në këtë kohë Mançe mësohet se i ka dërguar një mesazh në telefon të atit si dhe ka lënë një shënim në librin e shërbimit, ku bënte me dije se do ti jepte fund jetës.
Sipas burimeve nga garda e republikës, efektivi Mançe njihej nga kolegët dhe eprorët si një përson i qetë dhe i mbyllur. Po ashtu mësohet se më herët 30-vjeçari me origjinë nga Përmeti ka qenë edhe pjesë e forcave të armatosura, ku ka shërbyer në disa misione në Afganistan me trupat komando.
Më 30 qershor të këtij viti një tjetër efektiv i Gardës u vra brenda institucionit. Shkëlzen Qordja , shofer i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj po ashtu qëlloi veten me armën e shërbimit ndërkohë që motivet edhe sot mbeten enigmatike.
Top Channel