Bosnjë, protestë kundër ndërtimit masiv të hidrocentraleve

02/10/2018 08:49

Dashamirës të kanotazhit nga e gjithë bota u mblodhën të hënën në lumin Vrbas të Bosnjës për të protestuar kundër ndërtimit në masë të hidrocentraleve në vendet e Ballkanit Perëndimor. Veprimtarët thonë se ndërtime të tilla kërcënojnë të shkaktojnë dëme të pariparueshme të mjedisit.

Aktivistët në Bosnje prej vitesh po bëjnë fushatë kundër planeve për të ndërtuar dy hidrocentrale të reja në lumin Vrbas. Dy objektet janë pjesë e një rrjeti të planifikuar prej gati 3 mijë hidrocentralesh në të gjithë Ballkanin Perëndimor, një rajon i njohur si “Zemra Blu” e Evropës për lumenjtë e saj të pastër.

Rreth një e treta e këtyre hidrocentraleve parashikohet të ndërtohen në zona të mbrojtura turistike, sipas një studimi të organizatave RiverWatch dhe EuroNatur.

Autoritetet dhe investitorët i shohin hidrocentralet si një zgjidhje pa ndotje dhe si alternativë ndaj formave të tjera të energjisë. Ata thonë se kjo do të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor për të arritur objektivat e energjisë së rinovueshme të caktuara nga Bashkimi Evropian, ku këto vende përpiqen të anëtarësohen.

Por veprimtarët thonë se digat do të shterojnë lumenjtë që përdoren nga komunitetet vendëse për ujë të pijshëm, bujqësi, peshkim dhe turizëm si dhe do të shkatërrojnë habitatin e specieve të rralla, si salmoni i Danubit apo rrëqebulli i Ballkanit.

Një studim i fundit tregon se në një të tretën e Ballkanit lumenjtë janë në gjendje natyrore të pacenuar në krahasim me pjesën tjetër të Evropës ku ato janë shkatërruar në shumicën e tyre, thotë Gabriel Schwaderer, kreu i organizatës EuroNatur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA