Xhisiela Maloku, vajza që denoncoi për dhunë djalin e deputetit të Fushë-Krujës, Rexhep Rraja, u rrëfye sonte në emisionin “Open” me gazetaren Eni Vasili, në Top Channel.
Eni Vasili: Përpara se të fillojmë intervistën, dua të të pyes, si dëshiron ta zhvillojmë këtë intervistë, me identitetin tënd të plotë, me fytyrën tënde, me emër e me mbiemër, apo me identitetin tënd?
Xhisiela Maloku: S’ka problem, me identitetin tim të plotë. Derisa jam bërë e madhe, çështja ime. Më mirë me identitetin tim të plotë.
Eni Vasili: Kush është Xhisiela? Sa vjeçe je?
Xhisiela Maloku: Jam 25 vjeçe.
Eni Vasili: Studion për…?
Xhisiela Maloku: Kam mbaruar “Shkenca Politike”, aktualisht jam në master “Marrëdhënie Ndërkombëtare”.
Eni Vasili: E zgjodhe vetë, të pëlqen politika?
Xhisiela Maloku: Kjo ishte ajo që më përshtatej mua, ndjehem mirë këtu.
Eni Vasili: Do të bëhesh politikane?
Xhisiela Maloku: Nuk e di. Pas gjithë ngjarjes që ka ndodhur, nuk e di.
Eni Vasili: Gazetare?
Xhisiela Maloku: Gazetare, mbase po.
Eni Vasili: Më trego pak për familjen tënde, në çfarë familje je rritur?
Xhisiela Maloku: Jetoj me mamanë, pasi babain e kam humbur para 20 vitesh. Kam jetuar te njerëzit e mamit, po ashtu edhe te njerëzit e babit.
Eni Vasili: Si e ke humbur babanë? Të kujtohet?
Xhisiela Maloku: Kur kam humbur babanë kam qenë në moshën 3 vjeç e gjysmë. Ai është vrarë në vitin 1997.
Eni Vasili: Si është vrarë, në çfarë rrethanash? Ta kanë treguar?
Xhisiela Maloku: Jo.
Eni Vasili: Nuk e di si ka ndodhur ngjarja.
Xhisiela Maloku: E di që ka qenë me kushëririn e tij, i kanë bërë prit dhe e kanë vrarë. Mbaj mend shumë pak, vetëm dy tre fragmente, shumë pak.
Eni Vasili: Besoj ke foto të tij… e ruan kujtimin e tij?
Xhisiela Maloku: Patjetër. Në të gjithë shtëpinë.
Eni Vasili: E ke ndjerë mungesën e tij?
Xhisiela Maloku: Shumë e kam ndjerë, më ka munguar në çdo moment.
Eni Vasili: A ka pasur një figurë që e ka zëvendësuar babanë? Nuk e di… dajë, xhaxha…
Xhisiela Maloku: Dajat kanë qenë gjithmonë pranë meje, por babain nuk mund të ma zëvendësojë askush.
Eni Vasili: A mendon se jeta jote do të kishte qënë më ndryshe, nëse do ta kishe pasur pranë babanë tënd?
Xhisiela Maloku: Absolutisht po, do të kishte qenë më e mirë, më e sigurt.
Eni Vasili: Me kë jetoni sot?
Xhisiela Maloku: Jetoj me mamanë, motrën, gjyshen, në një shtëpi.
Eni Vasili: Si është fshati? Si është jeta në fshat?
Xhisiela Maloku: Realisht, unë nuk është se e kam bërë atë jetën e fshatit. Kam jetuar më shumë në Tiranë, pasi kam studiuar. Kam jetuar aty, por më shumë me fjet.
Eni Vasili: Me çfarë udhëtoje nga Tirana për në Zezë, e bëje çdo ditë?
Xhisiela Maloku: E bëja çdo ditë, me kushërinjtë, me furgona…
Eni Vasili: A është e vështirë të jetosh në fshat?
Xhisiela Maloku: Normalisht që është e vështirë. Në radhë të parë është mentaliteti që nuk të lejon të bësh jetën tënde të lirë.
Eni Vasili: Cfarë mendtaliteti është aty?
Xhisiela Maloku: Është një mentalitet shumë i mbyllur, realisht.
Eni Vasili: Mendon që ky mentalitet vjen nga meshkujt apo edhe nga vetë femrat?
Xhisiela Maloku: Vjen nga të dyja anët njëkohësisht.
Eni Vasili: Mendon që një femër në Nikël, në Zezë, jeton e paragjykuar?
Xhisiela Maloku: Absolutisht po. Unë jam paragjykuar, por nuk kam jetuar për të tjerët, kam jetuar për veten.
Eni Vasili: Çfarë do të thuash me këtë?
Xhisiela Maloku: Kam qenë e lirë dhe nuk më ka interesuar asnjëherë mentaliteti i njerëzve. Unë kam jetën time dhe e di kush jam. Nuk ka qenë pengesë.
Eni Vasili: Kë do më fortë në familje?
Xhisiela Maloku: Motrën, është pika e dobët. Çdo gjë që kam me atë e ndajmë, rrimë gjatë gjithë kohës bashkë.
Eni Vasili: Mendon njësoj dhe ajo për jetën në fshat?
Xhisiela Maloku: Po.
Eni Vasili: Çfarë do të doje ti të ndryshoje nga jeta në fshat?
Xhisiela Maloku: Në radhë të parë mentalitetin, por edhe shumë gjëra të tjera.
Eni Vasili: Të ka rënduar kjo edhe tani?
Xhisiela Maloku: Kjo ka qenë një rëndesë shumë e madhe për mua, shumë.
Eni Vasili: Ke pasur gjithmonë këtë peshë trupore?
Xhisiela Maloku: Jo, nuk e kam pasur. Jam dobësuar gjatë kësaj periudhe, kur unë jam përfolur, kam dalë në media. Para dy muajve ka nisur e gjithë kjo, stresi dhe gjendja emocionale. Kam rënë 12 kilogramë.
Eni Vasili: Sa peshon sot?
Xhisiela Maloku: Nuk e di.
Si u takua me Rexhep Rrajën?
Eni Vasili: Si e njohe Rexhepin?
Xhisiela Maloku: E kam njohur në shkollë, në gjimnaz. Ai ka qenë në klasë paralele. Kemi qenë 17 vjeç, në 2012.
Eni Vasili: Ka qenë dashuri me shikim të parë?
Xhisiela Maloku: Jo, jemi njohur pasi ne kemi qenë edhe në shkollë bashkë, njiheshim më herët.
Eni Vasili: Kush e bëri hapin e parë?
Xhisiela Maloku: Ai.
Eni Vasili: Si të propozoi?
Xhisiela Maloku: S’më kujtohet tani. Nuk dua të flas për këtë.
Eni Vasili: E pati të vështirë? Apo edhe ti e kishe qejf që në fillim?
Xhisiela Maloku: Realisht edhe unë e kisha qejf. Nuk është se pranova direkt, më vonë…
Eni Vasili: A ka qenë dakord Rexhepi që ti të vazhdojë studimet?
Xhisiela Maloku: Po, më ka ndihmuar, më ka mbështetur.
Eni Vasili: Masterin pse po e zhvillon kaq vonë? A ke pasur ndonjë ndërprerje në mes?
Xhisiela Maloku: Po, ka pasur. Nuk isha gati të vazhdoja dhe tani vendosa. Gjatë kësaj kohe nuk kam punuar.
Eni Vasili: Sa vjeçare është historia me Rexhepin?
Xhisiela Maloku: Deri në 2017-ën, 5 vjet.
Eni Vasili: Çfarë kanë qenë këto 5 vjet për ty?
Xhisiela Maloku: Kemi pasur një lidhje shumë të mirë, por normalisht që kemi pasur edhe debate, zënka. Por unë jam ndjerë mirë përderisa ka zgjatur kaq vite.
Eni Vasili: Çfarë zënkash keni patur, të dhunshme apo jo?
Xhisiela Maloku: Një shpullë mund të gjuaj kushdo, edhe unë atij edhe ai mua. Por nuk ka kaluar në një dhunë fizike të patolerushme. Më shumë kemi pasur debate, dhunë verbale. Arsye xhelozie, nga të dyja anët.
Eni Vasili: Ju keni pasur njohje familjare?
Xhisiela Maloku: Jo, jo.
Eni Vasili: Pse erdhi ndarja?
Xhisiela Maloku: Ndarja erdhi pa kuptim. Kishim tre muaj që gjërat nuk shkonin si duhet. Gjërat u ftohën dhe u larguam me kërkesë të Rexhepit.
Eni Vasili: Si ta komunikoi?
Xhisiela Maloku: Nuk mundem më të vazhdoj. Kemi shumë gjëra që nuk po na shkojnë, ti vazhdo jetën tënde, unë timen. Ma ka thënë në telefon.
Eni Vasili: Si u ndjeve ti?
Xhisiela Maloku: U ndjeva shumë keq dhe nuk po e besoja.
Eni Vasili: Mbas këtij momenti, jeni takuar?
Xhisiela Maloku: Po, jemi takuar si të ndarë.
Eni Vasili: Sa herë jeni takuar?
Xhisiela Maloku: Jemi takuar shpesh, për t’u sqaruar. Ai më thoshte pse jemi ndarë dhe më kërkonte të takoheshim, gjëra të tilla.
Eni Vasili: Takimet bëheshin me kërkesën tënde?
Xhisiela Maloku: Me kërkesë të të dyve. Jemi ndarë në maj.
Eni Vasili: Që atëherë nuk jeni parë më?
Xhisiela Maloku: Jemi parë, pasi jemi edhe me shtëpi afër.
Eni Vasili: Kur ka qenë takimi juaj i fundit?
Xhisiela Maloku: Kur jemi takuar në komisariat, në datën 21 korrik.
Zona e nxehtë e intervistës
Eni Vasili: Për çfarë shkuat në datën 21 korrik në komisariat?
Xhisiela Maloku: Sepse unë kisha bërë një kallëzim, në komisariatin numër 3 në Tiranë.
Eni Vasili: Pse e bërë kallëzimin?
Xhisiela Maloku: Ndodhi një konflikt mes nesh. Isha në gjendje shumë të rënduar psikologjike.
Eni Vasili: Çfarë ndodhi konkretisht, na rrëfe momentin…
Xhisiela Maloku: Më mori në telefon dhe më pas filluan skenat e xhelozisë e pastaj filluan debatet.
Eni Vasili: Gjatë këtij konfliti është ushtruar dhunë ndaj teje?
Xhisiela Maloku: Jo…
Eni Vasili: Sapo e the që keni pasur një konflikt.
Xhisiela Maloku: Jo konflikt fizik, vetëm verbal. Vetëm një shuplakë dhe kaq, jo ato që janë ekzagjeruar nëpër media. Janë ekzagjeruar nga ish-oficeri.
Eni Vasili: Por ju keni bërë një kallëzim, keni dhënë një dëshmi…
Xhisiela Maloku: Nuk është e imja ajo. Nuk është ajo dëshmi e nxjerrë nga Emiliano. Dëshmia që kam dhënë në Tiranë është në Prokurori, bashkë me një dëshmi tjetër që është bërë në Policinë e Durrësit. Ndërsa dëshmia që ka nxjerrë Emiliano nuk e di ku e ka marrë.
Eni Vasili: Dëshmia që ka dalë në media është ajo që është dhënë në prokurori, ku ju thonë se e keni takuar Rexhepin diku afër një hoteli dhe aty ka filluar konflikti. A është e vërtetë?
Xhisiela Maloku: Po, deri këtu është e vërtetë.
Eni Vasili: Si përfunduat brenda në hotel?
Xhisiela Maloku: Me ftesë të atij.
Eni Vasili: Ku filloi konflikti, jashtë hotelit?
Xhisiela Maloku: Aty ndodhi zënka normale, por vetëm një shuplakë.
Eni Vasili: Në dëshmi ju thonë se është qëlluar me pistoletë, me të pasmen e pitoletës. Gjithashtu është ushtruar dhunë me grushte ndaj jush dhe iu është fikur cigarja në pjesën e kofshëve. A është e vërtetë kjo pjesë e kallëzimit që ju keni bërë?
Xhisiela Maloku: Jo.
Eni Vasili: Kjo ka dalë nga Prokuroria, a je e sigurt për rrëfimin që po bën?
Xhisiela Maloku: Po, jam e sigurt është bërë nga xhelozia nga inati që kisha ndaj Rexhepit.
Eni Vasili: Domethënë ke bërë dëshmi të rreme?
Xhisiela Maloku: Po.
Eni Vasili: Është bërë një akt ekspertize, e firmosur nga një doktor. Më pas ju keni shkuar, në datën 20 në Tiranë në komisariat. Pse nuk e keni bërë denoncimin?
Xhisiela Maloku: Nuk e kam bërë se ndryshuan gjërat. Dola nga komisariati dhe e takova, pasi e kisha lajmëruar. I thash se po denoncoja, më pas u takuan dhe u sqaruam pasi më kërkoi edhe falje. Por më pas, ai nuk e mbajti fjalën e dhënë. Ai iku me një tjetër me pushime, ka ikur atë natë. Unë e mora vesh nëpërmjet shoqeve, që më thanë se më kanë mashtruar. E mora në telefon dhe nuk mund përgjigj. Në datën 21, nga inati shkova dhe e denoncova për dhunë. Por deklarata që ka dalë në media nuk është ajo.
Eni Vasili: Kush ta ka bërë ekspertizën?
Xhisiela Maloku: Nuk e njoh mjekun.
Eni Vasili: Kemi një dokument zyrtar dhe një mjek nuk mund të gënjejë në këtë. Është e pamundur që të më thuash që kjo nuk është e vërtetë pasi është një akt ekspertize. Nuk mund ta mohosh këtë gjë.
Xhisiela Maloku: Nuk e kam parë, por e kam dëgjuar nga mediat dhe mos gaboj ka edhe prerje.
Eni Vasili: Jo, këtu thotë që ke hematoma në shpatullën e djathtë, dy në kofshën e djathtë, ekimoza në pulpë, në kërcirin e këmbës së majtë, e të tjera. Ekspertiza thotë se mund të jenë bërë edhe nga cigarja.
Xhisiela Maloku: Po ta shohësh në shpatullën time janë ende disa shenja, që janë shenjat e aksidentit që unë kam bërë në Fier, me motrën, me makinë, kur po shkonim te një shoqe në Patos. Policia ka ardhur dhe ka qenë shkak humbja e kontrollit të makinës.
Eni Vasili: Ju keni makinë?
Xhisiela Maloku: Jo, e kishte shoqja dhe në timon ishte motra. Targën num e mbaj mend. Makina shkoi në varreza.
Eni Vasili: Po për atë që thuhet në aktekspertizën për shenjën e cigares, si e justifikon?
Xhisiela Maloku: Unë kam edhe në dorë. Kur ne ziheshim digjnim njëri-tjetrin me cigare. Po të shikoni Rexhepin edhe ai ka shenja. E kemi bërë edhe disa herë të tjera.
Eni Vasili: A je duke e justifikuar Rexhepin?
Xhisiela Maloku: Absolutisht jo.
Eni Vasili: A je duke mohuar kallëzimin që ke bërë në komisariatin numër 3?
Xhisiela Maloku: Kallëzimin po, por jo Rexhepin, pasi unë dua të them të vërtetën . Nuk jam nën presionin e askujt. Më është ofruar mbrojtje dhe nuk e kam pranuar. E gjitha është bërë për inat e sipër.
Eni Vasili: Kur ke komentuar situatën në hotel ke thënë se të ka goditur, të ka djegur me cigare… Nuk më kujtohet nëse bëmë marrëdhënie seksuale. Ti po thua se kjo nuk është e vërtetë?
Xhisiela Maloku: Jo nuk është e vërtetë. Nuk më ka djegur me cigare dhe nuk më ka kërcënuar me pistoletë.
Eni Vasili: E di që ka pasoja dëshmia e rreme?
Xhisiela Maloku: Po e di dhe i marr përsipër.
Eni Vasili: Kush janë njerëzit e pafajshëm?
Xhisiela Maloku: Duke filluar nga babai i Rexhepit.
Eni Vasili: Ku keni qënë në darkën e datës 21.
Xhisiela Maloku: Në Tiranë.
Eni Vasili: Kujtojeni mirë.
Xhisiela Maloku: Kam shkuar në komisariatin e Fushë Krujës, para se të shkoja në Komisariat kam qenë në Tiranë.
Eni Vasili: Kush ju thirri në komisariat?
Xhisiela Maloku: Për të shkuar, shkova vetë. Nuk më ka marrë askush me forcë. Nuk është e vërtetë asgjë që është thënë media. Në komisariat kam shkuar me shoqen time.
Eni Vasili: Kë gjete?
Xhisiela Maloku: Gjete Rrahmanin duke dhënë deklaratën para oficerit.
Eni Vasili: Kush oficer ishte?
Xhisiela Maloku: Gentian Çitozi. Jashtë ka qenë kushëriri i tij dhe xhaxhai. Ata më kanë folur dhe më kanë mbështetur. Emrat e tyre që janë përmendur se më kanë kërcënuar më kanë mbështetur.
Eni Vasili: Pse shkove në atë orë?
Xhisiela Maloku: Ashtu e mendova. Marrja në pyetje në orën 22:00 nisi sepse duhet të vinte avokati dhe psikologia. E kemi pritur në komisariat dhe nuk kemi ardhur të gjithë bashkë. Ata kanë ardhur pas meje. I kam pritur aty.
Eni Vasili: A të kanë ushtruar presion brenda në komisariat?
Xhisiela Maloku: Jo, askush. Dëshminë që keni aty, unë nuk e kam dhënë. Duhet t’i bëjnë një ekspertizë firmës time sepse unë aty nuk e kam thënë se më kanë marrë me dhunë.
Eni Vasili: Pse nuk e dhe dëshminë në komisariatin numër 3?
Xhisiela Maloku: Sepse edhe kur e dhashë aty, më thanë se duhet të shkoja në Fushë Krujë se jam banore e fshatit Zezë.
Eni Vasili: A ka qenë deputeti Rraja, deputeti Balla?
Xhisiela Maloku: Absolutisht jo, e them me bindje të plotë.
Eni Vasili: Pse ishin jashtë kushërinjtë?
Xhisiela Maloku: Sepse Rexhepi ishte duke u marrë në pyetje.
Eni Vasili: A shprehën habi ata kur t’i u paraqite për të tërhequr kallëzimin.
Xhisiela Maloku: Po, më thanë se do mendojnë se na kanë bërë presion.
Eni Vasili: Pse disa gjëra i pranon dhe disa jo?
Xhisiela Maloku: E them me bindje të plotë se kam thënë që më kanë keqtrajtuar, nuk është e vërtetë. Në komisariat kemi qëndruar rreth 2 orë.
Eni Vasili: Ty të kanë marrë në pyetje në prani të Rexhepit?
Xhisiela Maloku: Jo, ka qenë vetëm avokati dhe psikologia. Ai është marrë në pyetje para meje dhe më pas ka qenë brenda komisariatit.
Eni Vasili: Më thuaj diçka për sjelljen e oficerit Çitozi…
Xhisiela Maloku: Nuk më pëlqeu sjellja e tij. Nuk bëri pyetjet e duhura, nuk më dukej i përshtatshëm, por nuk më kërcënoi. Ai shprehte mendimet e tij, por nuk isha fare e ndikuar nga ai.
Eni Vasili: Çfarë thoshte?
Xhisiela Maloku: Më thoshte mirë po bën, tërhiqe, por unë nuk isha e ndikuar nga ai. Unë shkova me dëshirën time. Nga mënyra që fliste nuk më pëlqente. Nuk e mbaj mend fare atë natë.
Eni Vasili: Ti e ke denoncuar se ka favorizuar palën tjetër në konflikt…
Xhisiela Maloku: Nga fjalët që thoshte, mua atë mendim më krijonte se po i favorizonte.
Eni Vasili: Çfarë ore ndodhi marrja në pyetje dhe çfarë ndodhi?
Xhisiela Maloku: Rreth orës 11:00. Kur dola jashtë ishte vetëm një kushëri i Rexhepit që po e priste. Ai doli pas meje.
Eni Vasili: Kush të çoi në shtëpi?
Xhisiela Maloku: Kam shkuar te halla, vetë në këmbë. Të nesërmen zgjohem dhe shkoi në komisariatin numër 3 për të denoncuar sërish Rexhepin dhe më drejtuan për në SHKB e Durrësit. Shkova në Drejtorinë e Tiranës, ku denoncova Çitozin sepse duhej se pse e kisha tërhequr dëshminë dhe duheshin arsyet. Unë i thash që kam qenë e kërcënuar, nën presion psikologjik. Deklarata nuk është plotësisht e vërtetë.
Eni Vasili: Çfarë ndodh pasi ti jep këtë dëshmi?
Xhisiela Maloku: U thirr Rezhepi sërish në polici. Ai ka ikur sërish në Sarandë dhe arsyeja pse unë shkova për ta bërë sërish denoncimin ishte fakti që ai iku në Sarandë. Ai ka ikur në 3 të natës sërish në Sarandë.
Eni Vasili: Ti ke thënë se ke marrë një mesazh që je kërcënuar me jetë?
Xhisiela Maloku: Nuk është e vërtetë.
Eni Vasili: Cili është thelbi i denoncimit që ke bërë në Durrës.
Xhisiela Maloku: Ka qenë se jam kërcënuar nga Rexhepi, nga dy kushërinjtë e tij brenda ambienteve të komisariatit. Por kjo nuk ka qenë e vërtetë.
Eni Vasili: Pse dhatë një dëshmi të pavërtetë?
Xhisiela Maloku: Nga inati, sepse kisha shumë presion që ai iku me një tjetër. Çitozin nuk e kam takuar më. Sot mendoj ndryshe për të. Ai s’më ka pëlqyer sepse nuk duhet të fliste për këtë çështje. Ai nuk është larguar për dëshminë time, por sepse e mori vonë atë. Atje shkova unë.
Eni Vasili: Kë ke takuar pas këtij denoncimi?
Xhisiela Maloku: Pas një jave kam takuar oficerin e policisë Emiliano Nuhu, ku kam dhënë një dëshmi dhe kam treguar ngjarjen.
Eni Vasili: Ku është bërë takimi?
Xhisiela Maloku: Jemi takuar në prokurori ku unë isha thirrur për t’u marrë në pyetje, ndoshta në datën 26. Më është thënë se ky është hetuesi i çështjes. Pastaj e kam takuar në komisariatin e Krujës, të nesërmen. Ai po më bënte pyetje jashtë hetimit që kishte. Po më pyeste kush është familja Rraja e kështu pyetjes, në një zyrë para komisariatit. I thash se nuk jam për ato gjëra. Ai më tha: Nuk i kam frikë ata dhe unë ata do t’i shkatërrojë. Nuk pyes fare për ata. Unë i thash se nuk i kam frikë as unë. Por doja të thosha vetëm çështjen time. Dëshminë tjetër e kam dhënë të nesërmen. Unë dua që dëshmitë t’i shohë të gjitha. Ajo që unë kam lexuar në Prokurori nuk është kaq e gjatë, është e njëjta me historinë që unë kam dhënë në Komisariatin Numër 3. Nuk e di ku e ka marrë këtë dëshmi Emiliano. Sapo dosja shkoi te Emiliano, unë dola në Facebookun e Berishës. Unë i thash Emilianos që nuk dua ta vazhdojë më këtë histori pasi më nxorën nëpër media. Ai më tha se do të më ndihmonte për ta mbyllur dhe më tha ndryshe do të hyjë në burg për dëshmi të rreme. Ai më kërkoi të thosha vetëm ato që kam thënë në Komisariatin numër 3. Ja thash edhe ato.
Eni Vasili: Ti po thua se ke dhënë dëshmi të rreme kudo ke shkuar, por ato konkludojnë me njëra tjetrën. Pastaj edhe takimi në hotel është i vërtetë…
Xhisiela Maloku: Unë e kam pranuar këtë. Por vetëm aq, vetëm një shpullë, nuk më ka dhunuar. Nuk e kam mohuar.
Eni Vasili: A e kupton që e gjitha kjo është e vështirë për t’u besuar?
Xhisiela Maloku: Kjo është e vërtetë dhe mua nuk po më kërcënon askush. Po të kisha pasur një kërcënim, unë do të kisha marrë mbrojtje nga shteti. Do të kisha kërkuar azil siç bëri Emiliono me ermin tim.
Eni Vasili: A i trembesh dikujt? Për jetën e motrës tënde?
Xhisiela Maloku: Jo, për asgjë, as për jetën time. Nuk jam e kërcënuar nga askush. Presdionin më të madh ma kanë bërë mediat dhe politika që më ka përdorur. Nuk kanë të drejtë të përdorin emrin tim.
Eni Vasili: Cili është gabimi që ke bërë ti dhe cilët janë gabimet që kanë bërë të tjerët?
Xhisiela Maloku: Gabimi im i parë është se unë kam bërë këto deklarata. Gabimi i të tjerëve është se askush nuk po shqetësohet për mua realisht.
Eni Vasili: Unë jam e shqetësuar për ty, çfarë duhet të bëjë për ty?
Xhisiela Maloku: Mbështetje psikologjike edhe nëse këto janë të vërtetë ata po më ridhunojnë sërish.
Eni Vasili: Nga e pret ndihmën, cila është ndihma që kërkon edhe nga unë. Jam i gatshme të ndihmoj?
Xhisiela Maloku: Dua që dalin ato që ato të Emilionos nuk janë të vërtetë, ta zbardhet ngjarja. Nuk janë të vërteta. Nuk ka asgjë të vërtetë. Nuk po i them këto fare nën presion.
Eni Vasili: Unë dua të di, si je trajtuar t’i në komisariate, a t’i kanë marrë dëshmitë?
Xhisiela Maloku: Po, mi kanë marrë.
Eni Vasili: Pse ke deklaruar të kundërtën? Ti këtu flet për një tullac, i cili thotë “kush të rreh të do”…
Xhisiela Maloku: Absolutisht nuk e kam thënë Nuk ka pasur asnjë tullac në komisariatin numër 6. Është thënë edhe se mua më ka marrë aty Rrahmani dhe i biri me pistoletë, ndërsa ata nuk kanë pasur fare dijeni se ku kam qenë unë.
Eni Vasili: Do të doja shumë që ti të më bindje se nuk je duke mbuluar Rexhepin…
Xhisiela Maloku: Absolutisht nuk po e bëj këtë. E mësova nga mediat që u arrestua dhe unë bashkë me familjarët e mi kaluam në një gjendje shumë të rëndë.
Eni Vasili: Pse?
Xhisiela Maloku: Sepse ai është realisht i pafajshëm. Ai ka pasur fajin vetëm që ka ikur me pushime. Jam ndjerë shumë keq pasi ai është arrestuar për fajin e xhelozive të mia.
Eni Vasili: Do të doje të riktheheshe sërish me Rexhepin?
Xhisiela Maloku: Jo, nuk rikthehem. Pjesën e xhelozisë e kam kaluar tashmë. Por si komshinj nëse do e shoh në rrugë do i flas dhe besoj edhe ai do të bëjë të njëjtën gjë, por vetëm kaq.
Eni Vasili: A do të largohesh nga vendlindja jote?
Xhisiela Maloku: Po, sepse nuk i duroj dot paragjykimesh. Më kanë nxjerrë se jam përdhunuar nga i dashuri, por Xheni siç e njoh unë, nuk do ta bënte një gjë të tillë.
Eni Vasili: Do të ikësh nga vendlindja apo nga Shqipëria?
Xhisiela Maloku: Dua të iki nga Shqipëria. Do të shkojë te njerëzit e mi që kam jashtë, por e kam në mendje dhe pasi të mbarojë e gjitha kjo do të largohem.
Eni Vasili: Është shumë e rëndësishme për mua të të pyes, nëse kjo intervistë është duke u dhënë me vullnetin tënd të plotë?
Xhisiela Maloku: Po, po.
Eni Vasili: Kush të solli këtu nga Durrësi?
Xhisiela Maloku: Kam ardhur me taksi.
Eni Vasili: Kush e pagoi?
Xhisiela Maloku: Unë.
Eni Vasili: Punon?
Xhisiela Maloku: Jo, punon mamaja. Kemi të ardhura mesatare. Na ndihmojnë edhe dajat. Nuk them se jam keq nga gjendja ekonomike.
Eni Vasili: Pse pranove ta japësh këtë intervistë për mua.
Xhisiela Maloku: Sepse po shikoj që po përfshihen shumë njerëz të pafajshëm. Nga Rexhepi, nga të gjithë të tjerët, e cila është vetëm një gabim i imi nga xhelozia. Unë nuk doja të vazhdonte më kjo.
Eni Vasili: Pas dëshmisë tënde, mendon se është favorizuar Rexhepi si djali i një deputeti?
Xhisiela Maloku: Nuk është favorizuar sipas meje. Ai ka qenë në Sarandë dhe sapo është njoftuar ka ardhur.
Eni Vasili: A keni qenë ndonjëherë në komisariatin e Fushë Krujës?
Xhisiela Maloku: Vetëm një herë. Nuk më kujtohet se kurë, pasi ka ndodhur një konflikt në rrugë. Përfunduam të dyja në komisariat pasi debatuam me Rexhepin. U sqaruam më pas aty.
Eni Vasili: Ua morën dëshminë në prezencën e tij?
Xhisiela Maloku: Jo, ai ishte jashtë.
Eni Vasili: Ju e denoncuar për dhunë atë?
Xhisiela Maloku: Jo, nuk kishte ushtruar dhunë, ishte vetëm një pyetje. Kjo ka ndodhur vetëm një rast në komisariatin numër 6. Nuk më kujtohet se kur ka ndodhur. Edhe aty jemi sqaruar në ambientet e komisariatit.
Eni Vasili: Çfarë denoncuar konkretisht?
Xhisiela Maloku: Ishim bashkë dhe pas një konflikti më zbriti nga makina. Ishte natë dhe kisha frikë më shumë dhe këtë e denoncova në polici pasi më kishte marrë dhe telefonin.
Eni Vasili: Keni shkuar shpesh në dyert e komisariateve?
Xhisiela Maloku: Jo. Tre herë janë bashkë me këtë të fundit.
Top Channel