Dëshmitë e Xhisiela Malokut dhe Rrexhep Rrajas, por edhe përgjimet ambientale që i ka bërë Prokuroria, çuan në pranga djalin e deputetit socialist. Në vendimin e Gjykatës thuhet se rraja e ka dhunuar fizikisht dhe e pa përndjekur ish-të dashurën e tij.
Prokuroria e Krujës ka vërtetuar përndjekjen dhe kërcënimet që i janë bërë Xhisiela Malokut nga Rexhep Rraja, djali i deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Rraja, jo vetëm me dëshminë e të dëmtuarës, por edhe me prova te tjera shkencore dhe përgjime ambientale.
Me ane të këtyre provave prokurorja e çështjes Mirela Kapo bindi edhe gjyqtaren Enkeleda Hoxha që të caktojë paraprakisht masën e sigurimit arrest me burg për Rexhep Rrajën i akuzuar për veprën penale të përndjekjes.
Ne kërkesën drejtuar Gjykatës, Prokuroria ka parashtruar dëshminë e Xhisielës dhe episodet e kërcënimit, ku më flagranti ka ndodhur në një hotel në afërsi të aeroportit të Rinasit.
“Në datën 19.07.2018 pasi është telefonuar nga ana e te hetuarit në mënyrë konsistente dhe janë takuar në vendin e quajtur “hotel Boci” me vendodhje në rrugën e Rinasit, hotel në të cilën i hetuari ka kërcënuar me armë, i ka thyer telefonin vajzës ….sapo janë futur në dhomë përsoni i hetuar ka filluar të ushtroj dhunë duke e goditur me shkelma, i ka fikur cigaren në trup duke i thënë “trego ku do shkosh se do të të vras..ketu”
Por me pas Rexhepi me qellim për ta frikësuar akoma me shume është shprehur.
“Nuk do të të vras, do të të plagos..dua të vuash e jo të vdesësh direkt..”
Pas kësaj ngjarje Xhisielës në datën 20 korrik të këtij viti bëri denoncimin në komisariatin nr 3 të Tiranës, por po në të njëjtën ditë ajo e tërhoqi denoncimin në Komisariatin e Fushë Krujës tek oficeri Gentian Citozi, duke u shprehur se Rexhepi i kishte kërkuar të falur.
Por tre ditë më vonë Xhisiela dhe Rexhepi janë ritakuar sërish në ambientet e komisariatit të Fushë Krujës, ku Rexhepi ka tentuar ta dhunojë edhe në ambientet e komisariatit siç parashtrohet edhe ne hetimin e Prokurorisë.
Përkundër këtyre fakteve i arrestuari Rexhep Rraja në dëshminë e fundit që ka dhënë në Prokurorinë e Krujës para arrestimit, ka mohuar faktin që të kishte përndjekur apo dhunuar ish-të dashurën e tij edhe pse ishte njohur me rezultate e ekspertizës mjekoligjore.
“Deklaroj se nuk kam ushtruar aspak dhune ndaj saj. Përsa i përket ditës që pretendon se unë e kam takuar, jemi takuar miqësisht dhe nuk kam pas asnjë lloj marrëdhënie me të. Pasi u njoha me aktin e ekspertimit mjeko-ligjor dua te them se unë nuk kam lidhje fare me këto dëmtime dhe nuk di se ku mund t’i ketë marrë ato”, ka deklaruar ai.
Por prokuroria përveç dëshmive dhe aktit mjekoligjor, realizoi edhe një përgjim ambiental mes Rexhepit dhe Xhisielës në ambientet e Prokurorisë së Krujës dhe në analizë të gjithë hetimit të kryer Prokuroria dhe më pas edhe gjykata arritën në konkluzionin se: Rezulton e provuar se i hetuari Rrexhep Rraja, me të cilin ka pasur lidhje dashurore e dëmtuara / viktima Xhisiela Maloku, me qëllim krijimin e gjendjes së frikës dhe ankthit, duke e detyruar të dëmtuarën që të mos t’i japi fund lidhjes së dashurisë që kanë patur më parë, në mënyrë të përsëritur dhe sistematike ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj shtetases Xhisiela Maloku.
Në bazë të këtyre fakteve Gjykata e Krujës caktoi edhe masën e sigurisë arrest me burg për Rexhep Rrajhan.
Top Channel