Open/ Xhisiela: Emiliano nuk thotë të vërtetën. Rexhepi ka faj vetëm që iku me pushime

01/10/2018 22:22

“Dua që të dalë që ato që Emiliano thotë nuk janë të vërteta, të zbardhen të vërtetat e ngjarjes realisht. Ato që thotë ai nuk janë të vërteta, edhe nëse Prokuroria i nxjerr si të vërteta. Nuk i them aspak nën presion këto”.

Kështu u shpreh Xhisiela në rrëfimin e saj të gjatë për emisionin Open me Eni Vasilin.

“Emiliano doli e tha që ka qenë edhe Rrahmani në komisariat, por ai nuk ka qenë, sikurse tha se kanë qenë edhe persona të tjerë, që në fakt nuk kanë qenë. Edhe dëshmitë nëpër komisariate m’i kanë marrë të gjithë, gjithmonë. Kanë qenë korrektë me mua. Në komiariatin nr. 6 nuk kam thënë kurrë që ‘kush të rreh të do’ dhe s’ka pasur asnjë qeros në atë komisariat. Në atë komisariat është thënë që kanë ardhur e më kanë marrë me pistoletë Rrahmani dhe i biri, por Rrahmani s’ka pasur dijeni fare se ku ishim ne. Absolutisht nuk jam duke mbuluar apo justifikuar Rexhepin. Unë jam informuar nga mediet që Rexhepi është arrestuar dhe unë, motra dhe të gjitha familjarët e mi jemi në gjendje shumë të rëndë”, tregon Xhisiela.

“Ai është realisht i pafajshëm, ose më saktë ka faj vetëm që ka ikur me pushime. Më ka dhunuar psikologjikisht, verbalisht jo. Kam ngrënë ndonjë shuplakë, por atëherë… për një shuplakë… Edhe unë mund ta kem gjuajtur atë, jo atë ditë, por një tjetër. Të gjithë zihemi në të tilla raste. Unë u ndieva keq, sepse e kanë arrestuar prej xhelozive të mia dhe kjo më ka rënduar shumë psikologjikisht. Nuk do të doja të rikthehesha me Rexhepin, e kam kaluar tashmë pjesën e xhelozisë pse ai iku gjithë natën. Nga aty kam kuptuar që mes nesh kishte marrë fund dhe thjesht kam respekt si ish i dashur. Jemi edhe fqinj me njëri-tjetrin dhe nëse do ta shoh në rrugë, do t’i flas e do më flasë”, shtoi Xhisiela.

Vajza thekson se tashmë ka dëshirë që të largohet nga Shqipëria.

“Nuk e di se kur, por do të largohem sepse nuk i duroj dot paragjykimet, më kanë nxjerrë sikur unë jam përdhunuar. Të të përdhunojë i dashuri, kjo për mua është shumë e rëndë. Ai nuk e ka bërë kurrë një gjë të tillë dhe s’do ta bënte kurrë. E njoh prej shumë vitesh, edhe pse lidhja jonë nisi në 2012-n. Dua të iki edhe nga Shqipëria, ndoshta te njerëzit e mi që kam jashtë. E kam në mendje, s’kam vendosur ende asgjë. Do pres të mbyllen të gjitha këto, e më pas dua të iki”, tha Xhisiela.

Në fund, Xhisiela tregon arsyen pse u rrëfye: “Pranova ta jap këtë intervistë për “Open” në Top Channel sepse shikoj që po përfshihen shumë njerëz të pafajshëm, që nga Rexhepi i arrestuar tashmë e më pas tek të gjithë. Ishte i gjithi një gabim i imi, për një xhelozi që nuk e pranoja dot. Të bëhej një shfaqje kaq e madhe mediatike, të përfshihet qeveria, apo kushdo tjetër, nuk e doja këtë. Po, jam e vetëdijshme që kam bërë një denoncim në Komisariatin nr. 3 në Tiranë, dhe me sa di unë Rexhepi nuk është favorizuar. Edhe pse nuk e njoh ligjin, Rexhepi ka qenë në Sarandë dhe sapo është njoftuar nga policia, është paraqitur”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA