Nisin punimet për rrugën e Kardhiqit. Rama: Tiranë-Sarandë, jo më shumë se 3 orë

30/09/2018 12:57

Në Kardhiq nisën punimet për rrugën e re kombëtare, që do ta lidhë zonën me Delvinën, duke shmangur kështu Qafën e Muzinës për të shkuar në Sarandë. Kryeministri Rama e quajti investimin shumë të rëndësishëm, jo vetëm për ekonominë lokale.

“Sjell transformim të madh për lëvizshmërinë e përgjithshme dhe në funksion të turizmit. Nëse sot Gjirokastra dhe Saranda janë pranë, nesër do të jenë një”, tha Rama.

Ideja, – pranoi kryeministri, – ishte shumë më e hershme sesa qeveria e tij.

“Projekti i ri nuk është asgjë më shumë sesa rikonceptimi me standardet e kohës, i shtegut rrugor të përdorur që në prehistori nga ilirët, romakët, turqit, italianët, gjermanët”, deklaroi më tej kryeministri.

Çarja e Qafës së Muzinës, – shpjegoi Rama, – do të reduktojë ndjeshëm edhe distancën e Sarandës me kryeqytetin.

“Për ta shkurtuar me një orë lidhjen e Tiranës me Sarandën. Me këtë aks dhe Bypass-in e Fierit, rruga Tiranë-Sarandë nuk do të marrë më shumë 3 orë kohë”, tha kreu i qeverisë.

Rama tha se tani, qeveria e ka mundësinë të ndërtojë rrugë me standarde europiane, ndërsa gjatë mandatit të parë – siç theksoi ai, – iu desh të shlyente borxhet e trashëguara nga paraardhësit.

“Edhe kjo rrugë këtu u fillua me ‘tam-tame’ dhe solli vetëm borxhe. Se u bë tenderi e nuk kishte parà. Ajo propagandë e rrugëve ishin vetëm tendera. Ne nuk do ta konkurrojmë kurrë qeverinë paraardhëse për tendera”, tha Rama.

Kjo rrugë, së bashku me atë të Arbrit dhe akset Thumanë-Kashar e Orikum-Llogora, do t’i japin një tjetër pamje rrugëve të Shqipërisë, deklaroi në fund Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA