Lezhë, sekuestrohen 4 mina me telekomandë. Pranga 29-vjeçarit nga Tirana

30/09/2018 12:32
Foto ilustruese

Forcat e policisë së Lezhës kanë realizuar me sukses gjatë natës një operacion të koduar “Telekomanda”, duke bërë të mundur ndalimin e një 29-vjeçari nga Tirana, i cili lëvizte me mjetin e tij në aksin Milot-Lezhë, në kryqëzimin e Shënkollit.

Endrit Vejsiut iu vunë prangat në flagrancë, për shkak se pas kontrollit të ushtruar në automjetin tip Opel, në gomën rezervë të vendosur në bagazh u gjetën të fshehura 4 mina me telekomandë.

Minat ishin të paketuara me dy cilindra materiali të ngurtë, të mbështjellë me natriban, ndërkohë që dyshohet se janë të llojit “TNT”. Veç tyre, gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur edhe rreth 3 kg lëndë e dyshuar kanabis sativa, e paketuar dhe gati për shitje.

Gjithashtu u gjetën edhe rreth 3 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, e paketuar gati për shitje.

Ndaj Vejsiut do të procedohet tashmë me akuzat për veprat penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, si dhe “trafikimit të lëndëve plasëse”.

Policia e Lezhës ka kryer një sërë goditje gjatë natës së djeshme, në vijim të planit të masave për rritjen e sigurisë dhe mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale.

Gjatë kontrolleve në Kurbin u kap dhe u ndalua shtetasi në kërkim, Gentjan (Gazmir) Elezi, 32 vjeç, banues në Fushë-Mamurras. Gjykata e Shkallës së Parë të Kurbinit kishte caktuar “arrest me burg” më 24 nëntor të vitit 2015 ndaj tij, për veprat penale “vrasja në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim” dhe “mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Po në Kurbin u arrestua edhe Leonard (Gentjan) Tafa, 35 vjeç, banues në Malbardhë. Gjatë kontrollit në Laç, atij iu gjet e bllokua me cilësinë e provës materiale një pistoletë tip TT, me një krehër me 8 fishekë. Arrestimi i Tafës u bë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

I arrestuar në flagrancë gjatë këtyre kontrolleve mbeti edhe shtetasi Eris Gjoni, 20 vjeç, banues në Lezhë. Gjatë kontrollit në një lokal në Lezhë, atij iu gjet e bllokua në cilësinë e provës materiale një shkop hekuri policor. Ai akuzohet për veprat penale “Prodhimi, mbajtja , blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, si dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA